Si e do shoqëria civile “Prishtinën në katër vitet e ardhshme”

Si e do shoqëria civile “Prishtinën në katër vitet e ardhshme”

21 shtator 2017 12:45

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) me mbështetje nga Friedrich Ebert Stiftung (FES) në Prishtinë, e mbajti tryezën: “Prishtina në katër vitet e ardhshme”. Në këtë tryezë u prezantua “Platforma e Shoqërisë Civile për Prishtinën 2017-2021”, një dokument me rekomandime për platformat politike të kandidatëve për zgjedhjet për kryetar të komunës. Të pranishëm në këtë tryezë ishin dy kandidatët për kryetar të komunës së Prishtinës, kryetari aktual Shpend Ahmeti dhe kandidati i Alternativës, Rifat Deri.

Drejtori Ekzekutiv i INDEP-it, Burim Ejupi, e hapi këtë tryezë duke theksuar rëndësinë e të pasurit të një platforme të përbashkët që do të shërbejë si bazë për hartimin e politikave të kandidatëve për udhëheqjen e Prishtinës. z. Ejupi tha se kjo platformë është vazhdim i platformës së hartuar në vitin 2014, ku kishin kontribuar rreth gjashtëdhjetë ekspertë lokalë e profesionalë dhe janë anketuar rreth 600 qytetarë të komunës së Prishtinës për të pasur një pasqyrë të preokupimeve kryesore të qytetarëve që duhet të adresohen në udhëheqjen e ardhshme të kryeqytetit. Ai po ashtu tha se ata do të kenë edhe takime individuale me secilin kandidat për t’ua prezantuar platformën dhe për të avokuar që kjo platformë të integrohet në hartimin e politikave të tyre.

Në fjalën e saj hyrëse, Besa Luzha, koordinatore e programit në zyrën e FES-it në Kosovë, tha se shoqëria kosovare ka nevojë për qytetarë aktivë që janë të tillë jo vetëm në ditën e zgjedhjeve, por në të gjitha 365 ditët e vitit. z. Luzha tha se pa marrë parasysh profesionin, gjininë apo moshën, qytetari duhet të jetë aktiv në mbikëqyrjen e atij personi të cilit ia ka dhënë votën, jo vetëm përmes kritikës por edhe përmes angazhimit të tij në diskutime duke kërkuar që jeta e komunitetit ku ai jeton dhe vepron të jetë më e mirë. Për më shumë, duke i pasur parasysh rezultatet e anketës me respodentët, z. Luzha tha se ndonëse qeverisjen e Prishtinës në vitet e fundit, qytetarët kanë vlerësuar se janë të kënaqur me ofrimin e disa shërbimeve që më herët nuk kanë ekzistuar, është vënë në dukje nevoja për përmirësimin e mëtutjeshëm të ofrimit të këtyre shërbimeve. Z. Luzha tha se shpresojnë që kjo platformë t’u hyjë në punë të gjithë kandidatëve për kryetarë të Prishtinës, për t’u fokusuar në nevojat e qytetarëve që do të shërbejë si bazë për hartimin e politikave të tyre. Kjo platformë, sipas saj, përveç hulumtimit të opinionit publik, është edhe përmbledhje e të gjithave punëve që janë bërë tashmë nga organizatat joqeveritare që kanë avokuar vazhdimisht për ndryshim të politikave kundrejt përmirësimit të jetës në Prishtinë.

Dardan Abazi nga instituti INDEP e prezantoi platformën dhe të gjeturat e hulumtimit të opinionit publik dhe rekomandimet e dala nga intervistat me ekspertët e fushave përkatëse. Kjo platformë përfshin rekomandime për fushën e arsimit, zhvillimit ekonomik, shëndetësisë, shërbimet publike, urbanizmit dhe zhvillimit urban. Z. Abazi duke prezantuar të gjeturat e platformës, tha se shpreson që këto rekomandime dhe propozime do të shërbejnë për përmirësimin e mëtutjeshëm gjatë qeverisjes së ardhshme.

anën tjetër, kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti, duke e falënderuar dhe përshëndetur organizimin e tryezës dhe realizimin e platformës, tha se shoqëria civile është më se nevojshme për punën e përmirësimit të jetës në Prishtinë. Z. Ahmeti tha se personi që është në udhëheqje e ka një avantazh, sepse ka më së shumti informacione se vetë qytetarët e shoqëritë civile. Ai foli për gjetjet e hulumtimit dhe tha se nganjëherë kompetencat nuk janë mirë të sqaruara për opinionin publik dhe komunës i vihet përgjegjësia për shumë çështje për të cilat nuk komuna ose nuk i ka kompetencat ose i ka të ndara me organet e tjera qeverisëse. Ahmeti tha se do t’i kenë parasysh këto rekomandime dhe gjetjet e hulumtimit pa marrë parasysh se kush do ta marrë udhëheqjen e Prishtinës. Ai tha se kanë nevojë për ndihmë nga jashtë, për konsultime dhe kritika. fund, Ahmeti u uroi garë fer të gjithë kandidatëve për Prishtinën duke thënë se duhej fokusuar në problemet kryesore që gjenden në Prishtinën dhe se pa marrë parasysh se kush del fitues në fund, asnjë opsion nuk është tragjik, por me rëndësi është, sipas tij, që Prishtina i ka predispozitat për t’u zhvilluar.

Kurse kandidati i partisë Alternativa, Rifat Deri, duke e falënderuar INDEP-in dhe FES-in për organizimin e tryezës theksoi rëndësinë e informacioneve shtesë dhe presionit që u jep shoqëria civile kundrejt realizimit të punës së tyre. Sipas tij, rekomandimet dhe të gjeturat e punimit shërbyen si orientues rreth asaj se cilat janë preokupimet kryesore të qytetarëve. z. Deri tha se partia e tij tashmë e ka platformën për qeverisjen e Prishtinës dhe do ta prezantojë për publikun. Ai tha se ata janë fokusuar në disa pika që janë esenciale për përmirësimin e jetës në Prishtinë. Sipas z. Derit vota e qytetarit është sfidë për punën që duhet të bëhet për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ai tha se pa marrë parasysh se kush do ta marrë udhëheqjen e Prishtinës, partia e tij do të bashkëpunojë me të gjitha partitë e tjera për t’I shtyrë përpara proceset e nevojshme.

Të pranishëm në tryezë ishin edhe qytetarë e përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët patën rast të komentojnë dhe t’i shprehin shqetësimet e rekomandimet e tyre kundrejt qeverisjes në Prishtinë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme