Arbëri

SPRC propozon Konceptin Ideor për themelimin e Policisë Komunale të Prishtinës

Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC) propozon themelimin e Policisë Komunale të Prishtinës (PKP).

SPRC propozon që të fillohet debati më i gjerë dhe analiza gjithpërfshirëse për mundësitë dhe nevojat e themelimit të PKP-së, në mënyrë që të gjendet modeli më i përshtatshëm për të avancuar në këtë ide, transmeton Koha.net.

SPRC publikoi edhe Propozim-Konceptin Ideor se si do të modelohej themelimi i PKP-së, mandatin, përgjegjësitë, funksionimin dhe ndërtimin e qeverisjes dhe mbikëqyrjes demokratike të saj.

Autorët e Propozim-Konceptit, Burim Ramadani dhe Rifat Marmullaku propozojnë që mandati i PKP-së të ndërlidhet me juridiksionin komunal dhe territorial të Prishtinës.

“Policia komunale është organ ekzekutiv i Komunës së Prishtinës, që ka për detyrë të kryejë funksione në shërbim të rendit e të qetësisë dhe mbarëvajtjes së punëve publike brenda territorit dhe juridiksionit të Komunës, që nuk janë në kompetencë të autoriteteve të tjera shtetërore”, thuhet në këtë Propozim-Koncept Ideor.

Policia Komunale e Prishtinës detyrë primare do të ketë ruajtjen dhe mbrojtjen e rendit publik dhe zbatimit të aktiviteteve nën juridiksionin e komunës së Prishtinës, por nuk do te kufizohet në:

• Zbatimin efektiv të akteve të nxjerra nga Kryetari i Komunës dhe Kuvendi Komunal, e që kanë të bëjnë me sigurimin e rendit e të qetësisë dhe mbarëvajtjen e punëve publike.

• Të marrë masa për ruajtjen e pasurisë të komunës, si dhe të atyre që administrohen nga ana e saj.

• Të sigurojë zbatimin e urdhërave të nxjerra nga Kryetari i Komunës në lidhje me personat juridik e fizikë, që nuk plotësojnë konform ligjit detyrimet financiare e fiskale ndaj Komunës, si dhe çdo detyrim tjetër pasuror ndaj tyre.

• Reagimin në rastet e shkeljeve ligjore për zënien e hapësirave publike apo tregti e paligjshme (ambulantë), vendosjen e reklamave, tendave, dëmtimin e sipërfaqeve të gjelbra, trotuareve, ndriçimit publik, ndotjen e mjedisit etj, si dhe ndëshkimin e kundërvajtësve me gjobë.

• Në parandalimin, pezullimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje.

• Të mbështesë Inspektoratin në zbatimin e vendimeve për prishjen e ndërtimeve pa leje, objekte që kanë penguar punimet në infrastrukturën rrugore.

• Lirimin e objekteve që janë pronë e komunës, kopshte, biblioteka, ish- ndërmarrje etj. të zëna nga persona të ndryshëm në mënyrë abuzive.

• Konstatimin dhe ndëshkimin e shkeljeve në drejtimin dhe parkimim e automjeteve, që nuk respektojnë kërkesat e ligjit për rregullimin e trafikut.

• Ndalimin e shitjes në rrugë dhe lëmoshë-kërkuesve.

• Të mbikëqyrë respektimin e orarit të punës të objekteve hoteliere dhe objekteve të tjera që mund të prishin qetësinë e qytetarëve.

• Të kontrollojë nëse qytetarët bëjnë pastrimin e dëborës dhe akullit para shtëpive të tyre, ndërtesave dhe hapësirë komerciale.

Komuna e Prishtinës duhet të themelojë Drejtorinë Komunale të Rendit Publik, nën të cilën do të funksiononte Policia Komunale e Prishtinës dhe Inspekcioni. Ndërsa, kjo Drejtori do të mbikëqyrej edhe nga Asambleja Komunale, nga mediat, shoqëria civile, Auditori i brendshëm dhe Gjeneral, sikurse edhe nga Ombudspersoni. Kështu do të garantohej mbikëqyrja edhe në aspektin e politikave, të menaxhimit dhe administrimit, aspektin financiar dhe ligjshmërisë së aktiviteteve.

SPRC vlerëson se themelimi i mundshëm i Policisë Komunale të Prishtinës duhet të kalojë një proces të gjerë të konsultimeve dhe analizimeve të sakta dhe gjithëpërfshirëse:

1. Të formohet një ekip profesional qendror-lokal për përgatitjen e konceptit më të gjerë dhe Planit të Veprimit për themelimin e Policisë Komunale të Prishtinës;

2. Një vlerësim gjithëpërfshirës (studim) i mundësive dhe nevojave të sakta për komunën e Prishtinës dhe autoritetet qendrore;

3. Gjetjet dhe rekomandimet e dala nga ky vlerësim gjithëpërfshirës të analizohen në aspektin funksional dhe atë buxhetor;

4. Të analizohet aspekti ligjor dhe ndryshimeve ligjore të domosdoshme;

5. Të nxjerret Ligji për Policinë Komunale të Prishtinës;

6. Të ndryshohet ligji për Armët;

7. Të definohet pakoja e trajnimeve, armëmbajtja për PKP-në dhe periudha kohore e vlerësimit të funksionimit.

SPRC është e hapur që t’i prezantojë këtë Propozim-Koncept Ideor të gjithë kandidatëve për Kryetar të Komunës së Prishtinës, sikurse edhe institucioneve dhe akterëve tjerë politikë-bërës dhe vendimmarrës në Kosovë.

Të bashkëngjitur me këtë komunikatë, ju lutem gjeni edhe Propozim-Konceptin Ideor për themelimin e Policisë Komunale të Prishtinës, të publikuar sot në faqen zyrtare të SPRC-së:

http://sprc-ks.org/wp-content/uploads/2017/09/Policia-Komunale-e-Prishtines_SPRC_Propozim-Koncepti-Ideor.pdf