Ministri i Arsimit që synon kryeqytetin: Prishtina ka nevojë për një menaxher të mirëfilltë

Ministri i Arsimit që synon kryeqytetin: Prishtina ka nevojë për një menaxher të mirëfilltë

17 shtator 2017 11:41

Prishtina ka nevojë për një menaxher të mirëfilltë në mënyrë që ta bëjë atë vërtetë kryeqytet, e jo vetëm qytet.

Kjo është arsyeja kryesore pse Shyqiri Bytyqi nga Nisma për Kosovën, i ka hyrë garës për të parin e Prishtinës, ani pse ai ditë më parë u emërua ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Sipas Bytyqit, qeverisjet e kaluara nuk janë marrë me gjëra të mëdha për ta bërë vërtetë Prishtinën kryeqytet, por me gjëra të cilat mund t’i ketë secili qytet tjetër.

“Konsideroj që kryeqyteti jonë ka nevojë që të ketë një menaxher të mirëfillti në mënyrë që ta bëjë vërtetë Prishtinën kryeqytet, jo vetëm qytet. Prishtina ka nevojë që të jetë edhe kryeqytet dhe deri më tani nga qeverisjet e kaluara mund të themi që më shumë janë marrë me gjërat që mund t’i ketë secili qytet i vogël, por jo siç është qyteti i Prishtinës apo një kryeqytet. Ky është një moment i rëndësishëm që duhet të ndryshoj qeverisja në Prishtinë, duhet një qeverisje praktike, një qeverisje perëndimore e cila do të jetë e prekshme për qytetarët në Prishtinë, do ta ndiejnë çdo ditë të qeverisjes tonë dhe kjo ishte ndoshta arsyeja kryesore që me dëshirë i jam futur kësaj gare dhe besoj që do të jetë një garë interesante”, tha ai.

Në një intervistë për KosovaPress, Bytyqi ka deklaruar se përvoja e tij profesionale, angazhimet e tij menaxheriale dhe profesionale janë ato që e dallojnë nga kandidatët e tjerë për kryetar të kryeqytetit.

Sipas pretendentit për Prishtinën, Shyqiri Bytyqi, programi i tij për të qeverisur me Prishtinën është program pragmatik, i prekshëm dhe i realizueshëm.

“Koha e humbur duhet të kompensohet”, kështu quhet pjesa e parë e programit e cila do të ketë të bëjë kryesisht me problemet e përditshme të qeverisjes së Prishtinës, të cilat fatkeqësisht është dashur që moti të përfundojnë. Qytetarët është dashur të njihen komod në këto çështje, por që fatkeqësisht nuk kanë përfunduar dhe ne jemi detyruar ta kompensojmë këtë kohë për të cilën nuk është dashur që tani të jetë pjesë e qeverisjes në Prishtinë. Këtu e kam fjalën duke filluar nga gjërat e përditshme të parkingjeve që sot ka problem qyteti i Prishtinës, një pjesë e vogël e gjelbërimit që nuk e shijojnë siç duhet qytetarët e Prishtinës. Pastaj, e kemi çështjen e arsimit si problem i cili do të jetë një pjesë goxha e madhe e hapësirës e pjesës së parë të programit tonë”, theksoi Bytyqi.

Ndërkohë që ai thotë se pika më e fortë e qeverisjes së tij do të jetë se do të qeverisë për qytetarët.

Po ashtu, Bytyqi ka thënë se nuk do të vijë në qeverisjen e Prishtinës për të bërë politika të mëdha, apo për të bërë politika të partisë, por do të vijë në pushtet për të qenë menaxher i mirë për Prishtinën.

E si ngecje në qeverisjen e Shpend Ahmetit në Prishtinë, Bytyqi e sheh reflektimin e madh të partisë së Ahmetit, i cili thotë se ka filluar të merret me politika ditore dhe me politika partiake.

“Themi në përgjithësi tek z.Ahmeti starti i qeverisë së komunës ka qenë një start goxha frytdhënës dhe kam shpresuar shumë edhe unë si qytetar i Prishtinës që do të ketë një qeverisje të mirë. Por, fatkeqësisht kjo nuk ka zgjatur shumë, ka zgjatur vetëm në momentet kur z. Ahmeti ka qeverisur realisht vetë dhe ka pasur ide për qeverisjen e mirë të Prishtinës. Më vonë ka pasur reflektime të mëdha të partisë së z.Ahmeti që kanë filluar të merren me politika ditore, me politika partiake dhe si duket kjo pak e ka penguar. Ka bërë edhe gjëra të mira, por nuk ka bërë diçka që mund të mbahet mend shumë, është shprehur Bytyqi.

Pretendenti për postin e kreut të kryeqytetit u shpreh i bindur se prishtinasit do të dinë të votojnë për një menaxher të mirë për kryeqytetin.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme