Përfundon greva e punëtorëve teknikë të shkollave në kryeqytet

Përfundon greva e punëtorëve teknikë të shkollave në kryeqytet

16 shtator 2017 12:04

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të shtunën ka mbajtur një konferencë për media, me ç'rast zyrtarisht ka ndërprerë grevën e punëtorëve teknikë të shkollave në Prishtinë, pas pagesës së pagave të kërkuara.

Kryetari i Sindikatës të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka thënë se me pagesën e pagave zyrtarisht mbyllet greva e punëtorëve të shkollave të Prishtinës.

“Arsyeja e vonesës është për shkak të Kuvendit Komunal të Prishtinës e jo e kompanisë MSS”, ka thënë ai.

BSPK siç thotë ai, vlerëson alarmante gjendjen e punëtorëve në sektorin privat.

“Gjendja e punëtorëve në sektorin privat është alarmante, sepse asnjë qeveri nuk e ka dhënë kontributin që këtyre punëtorëve të iu lehtësohet barra”, ka thënë ai.

Azemi ka prekur edhe temën e imigrantëve për të cilët ka thënë se për shkak të kushteve të vështira dhe rrogave të ulëta nuk ka se si të ndalen.

Sa i përket orarit të stërzgjatur të punës ai ka thënë se duhet të paguhen orët shtesë.

Mbi 150 mijë punëtorë në Kosovë janë pa kontrata të pune, ka vijuar ai, duke shtuar se buxheti i Kosovës do të rritej për 50 milionë euro nëse do të paguheshin kontributet për këta punëtorë nga kompanitë private.

Mungesa e kontratave të punës dhe rrezikimi i shëndetit dhe jetës së punëtorëve në sektorin publik, Azemi ka thënë se po ndikojnë në lëndimet e punëtorëve në punë, e madje disa sipas tij e pësojnë edhe me fatalitet.

“Jemi rekord për një periudhë 10-vjeçare të rasteve të vdekjes të punëtorëve gjatë orarit të punës”, ka thënë ai.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme