Arbëri

Komuna e Prishtinës shkel ligjin për të dytin vit radhazi

Vetëm katër seanca të rregullta i ka mbajtur Kuvendi Komunal i Prishtinës, për nëntë muaj në vitin 2017.

Pika dy e nenit 43 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, obligon Kuvendet Komunale që të “mbajnë së paku dhjetë seanca në vit, pesë prej të cilave duhet të mbahen gjatë gjashtë muajve të parë të vitit”, raporton KTV.

Për të dytin vit me radhë, ky institucion ka bërë shkeljen e njëjtë, duke dështuar në arritjen e numrit minimal të seancave të përcaktuara me ligjin në fjalë.

Në këtë fazë, numri i seancave të mbajtura në Kuvendin Komunal të Prishtinës është pothuajse përgjysmë më pak sesa në shumicën e komunave tjera në vend.

Admir Shala, nga Iniciativa për Progres, ka thënë se, përkundër shpalljes së datës së zgjedhjeve, ky institucion duhet të mbetet i përkushtuar në përfaqësimin e qytetarëve.

Mungesa e përgatitjes së materialeve dhe e komunikimit, sipas kryesuesit të kuvendit, Halim Halimi, është shkak i mosthirrjes së seancave.

Ndërsa, ka pranuar se ka pasur mungesë të komunikimit të mirëfilltë në mes tij dhe Ahmetit, për thirrjen e seancave.

Megjithatë, ai pret që para 20 shtatorit të mbahet edhe një seancë. E, njëjtë thonë edhe në kabinetin e Shpend Ahmetit.

Por, zyrtarë të ekzekutivit nuk kanë dhënë asnjë përgjigje rreth projekteve dhe çështjeve tjera me rëndësi për qytetarët, të cilat nuk janë diskutuar apo miratuar si pasojë e numrit të vogël të seancave.

Para thirrjes për seancë, rendi i ditës duhet të diskutohet nga Komiteti për Politikë dhe Financa. Por, ky komitet nuk është mbledhur që nga korriku i këtij viti.