500 fëmijë pjesëmarrës në “Ylberin e Prishtinës”

500 fëmijë pjesëmarrës në “Ylberin e Prishtinës”

09 shtator 2017 09:34

Festivali ndërkombëtar tradicional i valleve folklorike për fëmijë “Ylberi i Prishtinës” organizohet për të pesëmbëdhjetin vit me radhë, dhe është ngjarja më e rëndësishme kulturore për fëmijë që zhvillohet në Prishtinë.

Në Festivalin që realizohet nga Qendra Kulturore e Fëmijëve të Prishtinës dhe mbështetur nga Komuna e Prishtinës, do të marrin pjesë mbi 500 fëmijë.

“Për dy ditë me radhë, më 9 dhe 10 shtator, do të defilojnë mbi 500 fëmijë nën tingujt e muzikës me veshjet tradicionale kombëtare duke prezantuar vlerat kulturore përmes valleve të ndryshme të qyteteve dhe shteteve që përfaqësojnë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

“Këtë vit do ketë shumë risi me qëllim që ky manifestim të lë mbresa të veçanta tek qytetarët e posaçërisht tek fëmijët. Përpos ansambleve vendore, pjesëmarrës do të jenë edhe ansamblet nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia, Bullgaria dhe Turqia”, thuhet më tej.

Me datë 9 Shtator 2017, duke filluar nga ora 16:30, para hapjes solemne të festivalit, do të organizohet edhe defileu me të gjitha ansamblet pjesëmarrëse në festival. Defileu fillon nga Sheshi “Zahir Pajaziti” për të vazhduar me tutje përgjatë bulevardit “Nëna Terezë” deri tek Sheshi “Skënderbeu”.

Pas defileut, të gjithë fëmijët pjesëmarrës do të jenë pjesë e ceremonisë së hapjes së festivalit në Sheshin “Zahir Pajaziti”(tek amfiteatri) duke filluar nga ora 18:00 – 21:00. Nata e dytë e festivalit do të vazhdojë më 10 shtator, nga ora 18:00 – 21:00 në Sheshin “Zahir Pajaziti”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme