Komuna zotohet se do t’i paguajë punëtorët teknikë që po protestojnë për paga

Komuna zotohet se do t’i paguajë punëtorët teknikë që po protestojnë për paga

07 shtator 2017 16:37

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi ka thënë se komuna do t’ua japë rrogat punëtorëve teknik të gjashtë shkollave fillore të kryeqytetit.

Ai tha për KosovaPress se pagat e punëtorëve teknikë do t’u kompensohen deri më 18 shtator. Por Nushi ka mohuar se ka pasur protestë të punëtorëve teknikë ndonëse Kosovapress ka marrë deklaratat e punëtorëve të këtyre shkollave.

“Në bazë të pohimit të drejtorit të kompanisë i cili është përgjegjës për ata punëtorët e tyre se punëtorët janë në vendin e punës edhe kanë punuar sot prej fillimit të orarit të punës. Jo për muajin gusht, por prej muajit maj nuk është paguar, maj, qershor, korrik e gusht nuk është paguar por gushti ka kohë për pagesë sipas kontratës të cilën e kemi të nënshkruar deri në fund të këtij muaji. Prandaj janë në pyetje tre muajt e pa paguar për të cilët iu ka skaduar afati i pagesës maji, qershori dhe korriku edhe zotimi im se do t’i paguaj majin dhe qershorin qëndron deri më datën 18 shtator”, tha Nushi.

Sipas tij mos dhënia e pagave për punëtorët teknikë ka ndodhur për shkak se nuk kanë mjete dhe se nuk është rishikuar buxheti për shkak të bllokadës institucionale në vend.

“Sepse nuk ka mjete dhe nuk është bërë rishikimi i buxhetit edhe aktualisht nuk kemi institucione dhe na jemi institucione qeverisëse, ne jemi aktualisht duke e prit edhe rialokimin e mjeteve për tre mujorin e fundit i cili do të ndodhë me 5 tetor prandaj atë që e thash që nëse arrijmë deri më 18 shtator së paku dy paga t’iu paguajmë dhe mandej prej 5 tetorit të vazhdojmë më pagesa të rregullta çdo gjë do të jetë në vendin e vetë“, tha ai.

KosovaPress ka qenë sot në shkollën fillore “Dardania” në kryeqytet ku ka marrë deklaratat e disa nga punëtorët teknikë. Ata kanë thënë se komuna nuk ua ka dhënë rrogat ndërsa i kanë dhënë afat deri të hënën për t’ua paguar rrogat, në të kundërtën do të hyjnë në grevë të përgjithshme.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme