Arbëri

Ankesat nga konkurset për drejtorë shkollash në Prishtinë ende në shqyrtim

Komuna e Prishtinës ka vazhduar procesin e intervistimit dhe përzgjedhjes së drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të rinj për një numër të madh të shkollave dhe çerdheve të kryeqytetit, pa u përmbyllur shqyrtimi i ankesave nga konkurset e viteve të kaluara.

Një numër i madh i ish-drejtorëve të këtyre shkollave u janë drejtuar institucioneve përkatëse me ankesa dhe padi, shkruan sot “Koha Ditore”.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka sjellë vendim pro-ankesës së tyre. Ata tani thonë se vendimin Themelores e ka aprovuar edhe Gjykata e Apelit.

Adonis Tahiri, zyrtar për media në Komunën e Prishtinës, ka thënë se Komuna e Prishtinës duke besuar në vendimet e saj të drejta e ka dërguar këtë çështje në kontest administrativ, dhe ende nuk kemi vendim të plotfuqishëm nga Gjykata.

Ndërkohë që, sipas tij, Komuna ka vazhduar me përzgjedhjen e drejtorëve të rinj në disa prej shkollave, ku drejtorëve të kaluar u ka skaduar mandati.

Nga konkursi i verës së kaluar qenë zgjedhur 8 drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të rinj shkollash, por rreth zgjedhjes së tyre pati sjellë vendim Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës(KPMSHC), përmes të cilit qeverisja komunale obligohet që t’i anulojë procedurat e rekrutimit të zgjedhjes së drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve në disa shkolla fillore dhe të mesme të kryeqytetit. Por, Komuna e Prishtinës e pati kontestuar këtë vendim, duke e dërguar rastin në Gjykatë... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.