Arbëri

Dimri në Prishtinë pritet të ndotë sërish ajrin

Djegia e pyjeve të cilat këtë vit ishin në masë të madhe në vend, ndikon edhe në cilësinë e ajrit. Fatmirësisht në stinën e verës Komuna e Prishtinës, sipas matjeve rezulton me rënie të ndotjes së ajrit në krahasim me sezonin e dimrit.

Njohës të çështjeve mjedisore përsërisin se djegia e linjitit për ngrohje të ekonomive familjare po ndikon në rritjen e shkallës së ndotjes. Ata kërkojnë që sistemi i ngrohjes përmes koogjenerimit të zgjerohet edhe në pjesë tjera të kryeqytetit.

Për dallim nga dimri ku ajri në Prishtinë ka qenë në disa raste, ndër më të pashëndetshmit në botë, gjatë verës, ka ndodhur e kundërta. Sipas matjeve të organizatës joqeveritare të cilësisë së ajrit, në mesditën e së enjtes, ajri ka qenë në nivelin normal.

Por me afrimin e dimrit, gjendja e ajrit pritet të jetë sërish e pashëndetshme, dhe sipas ekspertëve, kjo ndodh për shkak të sistemit të ngrohjes që përdoret në vend dhe lagështisë së ajrit, dhe për këtë arsye sipas tyre, sistemi i ngrohjes nëpërmjet KEK-ut duhet të zgjerohet.

Për ta ulur nivelin e ndotjes së ajrit, profesori Zeqir Veseli propozon që të ketë kufizime të transportit në periudha të caktuara, raporton televizioni publik.

Shoqëria civile shumë herë u ka bërë thirrje institucioneve që ta kenë prioritet çështjen e cilësisë së ajrit.