Kundërkandidatët e Ahmetit e akuzojnë atë se nuk u mor fare me Prishtinën

26 gusht 2017 19:11

PDK, Vetëvendosje, LDK dhe AAK, tashmë kanë prezantuar kandidatët e tyre për kryetar të Prishtinës.

Një kryetar aktual, një ish-ministër, një ish-asamblist dhe zëvendësministër dhe një ish-gazetar dhe ish-këshilltar i Presidentes Jahjaga, do t’i masin forcat në kryeqytet, raporton KTV.

Ata synojnë të qeverisin me Prishtinën në katër vitet e ardhshme dhe premtojnë se do ta bëjnë vërtet qytet Prishtinën.

Ish-gazetari Arbër Vllahiu, i cili jo shumë kohë më parë iu bashkua AAK-së, thotë se do t’i përfaqësojë qytetarët e Prishtinës dhe se do të mundohet që qytetarët t’i bëjë pjesë të zhvillimeve të qytetit.

E, sipas kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Lirak Çelaj, asnjë nga kryetarët e mëparshëm të Prishtinës, nuk ka menduar për zhvillimin ekonomik të qytetit.

Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka thënë se nuk do t’i ndjekë politikat e Shpend Ahmetit, i cili merret më çështje të tjera e jo të qytetarëve të Prishtinës.

Ndërkaq, kandidati i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, i cili po udhëheq me Prishtinën për një mandat të plotë, ka refuzuar të flasë për KTV-në.

Për dy ditë me radhë, ai nuk u është përgjigjur thirrjeve të KTV-së për të treguar se pse duhet qytetarët e Prishtinës, t’ia japin besimin sërish.

Zgjedhjet Lokale në Kosovë, pritet të mbahen më 22 tetor të këtij viti, derisa fushata zgjedhore do të fillojë më 21 shtator.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme