Arbëri

Sipas Mustafës, Vetëvendosja nuk bëri asnjë të mirë në Prishtinë

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka kritikuar punën që është bërë në katër vitet e qeverisjes së Vetëvendosjes në Prishtinë. Sipas tij nuk ka pasur asnjë projekt të ri që mund të përmendet.

Mustafa këto komente i bëri sot gjatë prezantimit të kandidatit të saj për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi.

Ai vlerësoi se Abrashi ka bërë punë të mirë në MMPS. “Unë jam shumë i bindur se Abrashi në fillim do ta ketë vështirë në fillim të punës si kryetar i ardhshëm në Prishtinë. Nuk ka pasur punë në katër vitet e fundit. Janë punuar projektet që i kam bërë unë. Për fat të keq ka pasur punë në infrastrukturën private”, tha ai.

Mustafa tha se Abrashi do të bashkëpunojë me të gjithë qytetarët, pasi që Prishtina është e gjithë Kosovës. Ai bëri me dije se kanë pasur përkrahje edhe kandidatët e tjerë brenda LDK-së, Avdulalh Hoti, Ismet Beqiri, Vjosa Osmani e Lumir Abdixhiku, raporton RTKlive.

Kurse kandidatit për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, tha se ndjehet i nderuar që po kandidon për të udhëhequr Prishtinës. “Qytetari i Prishtinës, është vetëm një instrument. Koncepti im, është që qetari i Prishtinës të jetë në fokus. Qytetari i Prishtinës, ka problem më ngrohje, ndriçim, ndotje, transport etj. Unë si kryetar i Prishtinës do të punoj vetëm për qytetarët”, tha ai. Abrashi tha se nuk do të merret me punë të tjera regjionale, por vetëm me punët e Prishtinës.