Arbëri

INPO: Ahmeti vonon buxhetin e propozuar të Prishtinë për vitin 2018

Organizata joqeveritare INPO ka reaguar ndaj moszbatimit të obligimeve ligjore për hartimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2018 nga kryetari Shpend Ahmeti.

Në një komunikatë për media, kjo organizatë joqeveritare ka njoftuar se Ahmeti ka vetëm 10 ditë afat ligjor që t’ia dorëzojë Kuvendit Komunal buxhetin e propozuar për vitin 2018 dhe vlerësimet për dy vitet e ardhshme fiskale.

Sipas “INPO”-s, qytetarëve të Prishtinës asnjëherë nuk u është prezantuar ndonjë informatë rreth përmbajtjes së draft buxhetit për vitin e ardhshëm.

“Për më tepër nuk janë mbajtur dëgjimet buxhetore me qëllim të përfshirjes së qytetarëve në procesin e hartimit të buxhetit të komunës”, thuhet në komunikatën e “INPO”-s.

​“Komuna e Prishtinës ka dështuar të respektoj obligimet ligjore që dalin nga ligji për Financat Publike dhe Përgjegjësitë i Republikës së Kosovës dhe rregulloreve komunale rreth ciklit të përgatitjes të politikave fiskale për vitin e ardhshëm”, thuhet më tej.

|Mosangazhimi i Kryetarit të Komunës në këtë proces është reflektuar qysh në muajin qershor, ngase komuna nuk ka miratuar as Kornizën Afatmesme Buxhetore. Kryetari ka dështuar që këtë dokument strategjik ta dorëzoj në Kuvend.

“INPO” ka theksuar se Komuna nuk ka publikuar asnjë draft dokument buxhetor, madje nuk ka organizuar asnjë dëgjim publik me qytetarë ashtu sikur e obligon ligji dhe rregulloret e brendshme të komunës.

“Sipas ligjit respektiv, statutit të komunës, rregullores për transparencë dhe planit të veprimit për transparencë të komunës, Kryetari obligohet që të konsultojë publikun gjatë gjithë muajit gusht, në mënyrë që të merren parasysh kërkesat dhe propozimet e qytetarëve dhe grupeve të interesit në prioritizimin e politikave investuese për vitin e ardhshëm”, thuhet në komunikatë.

INPO shpreh shqetësim rreth për moszbatimin e obligimeve ligjore, cenimin e parimit të transparencës dhe mospërfshirjen e qytetarëve në procesin e hartimit të këtij dokumenti.

INPO, gjithashtu vlerëson se këto shkelje ndikojnë drejtpërdrejtë në cilësinë e planifikimit të mirëfilltë buxhetor, i cili do të garantonte efikasitet dhe efektivitet të shpenzimit të parasë publike.

“Ia rikujtojmë Kryetarit se sipas Indeksit të kënaqëshmërisë së qytetarëve më shërbimet komunale në Prishtinë të publikuar nga INPO, 92% e qytetarëve janë deklaruar se nuk kanë marrë pjesë asnjëherë në dëgjimet publike që organizon komuna për hartimin e buxhetit. Ky rezultat do të duhej të ishte alarm për komunën e Prishtinës që me të gjitha kapacitet e saj të angazhohej në krijimin e urave të komunikimit me qytetarë dhe përfshirjes së tyre në proceset vendimmarrëse”, thuhet në reagimin e “INPO”-s.

Kjo organizatë joqeveritare kërkon nga komuna që sa më parë të bëjë publik dhe të qasshëm draft buxhetin e komunës për vitin 2018, si dhe të organizoj dëgjimet buxhetore me qytetarë.

“Gjithashtu, i bëjmë thirrje Kuvendit Komunal që të jetë më azhur në mbikëqyrjen e punës së Kryetarit të Komunës dhe të ushtrojë me përpikëri detyrat dhe kompetencat e veta ligjore në zbatimin e mekanizmave të kontrollit dhe llogaridhënies”.