Arbëri

Ndriçohen pjesë deri tash të errëta të kryeqytetit

Gent Begolli, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, i tha sot RTK-së po vazhdojnë punët për ndriçimin e pjesëve të qytetit, të cilave deri tash mungonte.

I pyetur se si po shkon projekti për ndriçimin e Prishtinës, Begolli tregoi se deri tash janë ndriçuar shumë pjesë të qytetit.

Sipas tij gjatë këtij viti për herë të parë do të ndriçohen disa pjesë të reja, siç janë edhe fushat sportive dhe të gjitha qendrat e mjekësisë familjare. "Ne iu kemi dhënë prioritet të madh këtyre pjesëve, po ashtu kanë qenë edhe shkollat në plan, mirëpo kemi edhe pjesë të ndryshme të qytetit që tash e një kohë të gjatë nuk kanë pasur ndriçim", tha Begolli.

Sipas tij, ky është një projekt shumë i mirë. "Përveç ndriçimit ne e kemi bërë edhe modernizimin, ne jemi ndalur më shumë në pjesët në qytet si p.sh tek të gjitha parkingjet e mëdha, ku ka pasuar më herët edhe vjedhje të veturave, por gjithashtu ky ndriçim ka shumë pak shpenzime", tha Begolli.

Se mbi çfarë kriteresh janë zgjedhur këto pjesë që të ndriçohen, ai tha se kanë qenë kërkesat e qytetarëve, por po ashtu edhe çështja e sigurisë. "Ka lagje që nuk ka pasur ndriçim për 18 vite pavarësisht se janë shumë të populluara, prandaj natyrisht se duhet dhënë prioritet gjithsesi lagjeve qe janë më të populluara, pastaj edhe atyre që janë më pak të populluara", tha Begolli duke shtuar se është shumë e rëndësishme një Prishtinë e ndriçuar.