Dyqani i bamirësisë “Teshavesha” tani me pikë në qendër të kryeqytetit

Dyqani i bamirësisë “Teshavesha” tani me pikë në qendër të kryeqytetit

06 mars 2017 09:21

Falë mbështetjes së donatorëve dhe mobilizimit të qytetarëve, dyqani bamirës i dorës së dytë “Teshavesha” po rritet çdo ditë dhe po vjen në një lokacion më të madh në qendër të qytetit.

Duke filluar nga sot, dyert e lokacionit të ri të dyqanit “Teshavesha” u hapën në rrugën Fazli Grajçevci nr. 271, pak më poshtë librarisë ‘Dit’ e Nat’ në drejtim të ish-ndërtesës së OSBE-së apo e mbrapa Qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, transmeton Koha.net.

“Që nga hapja e dyqanit për herë të parë në Prishtinë në korrik të vitit 2016, ‘Teshavesha’ vizitohet nga më shumë se 400 qytetarë çdo muaj, të cilët dhurojnë dhe blejnë gjësendet e dyqanit tonë. Dyqani madje ka mobilizuar fytyra publike, media, organizata të shumta e dizajnerë. Për ekipin tonë është inkurajues i gjithë ky mobilizim i qytetarëve dhe kjo mbështetje, andaj edhe po i përgjigjemi kërkesës së tyre dhe po ndërrojmë lokacionin në qendër të qytetit. Deri tash kemi operuar rrugës për Gërmi, ndërsa tani jemi mbrapa QKMF-së tek Qafa” – deklaron Janinë Mehmeti, koordinatore në Aksionin për Nëna dhe Fëmijë.

Image

Dyqani bamirës i dorës së dytë “Teshavesha” vazhdon të jetë i hapur çdo ditë të javës prej orës 10:00 – 18:00 si dhe të shtunave prej 12:00 – 16:00. Gjatë këtij orari qytetarët mund të sjellin donacionet e tyre dhe të blejnë në këtë dyqan bamirës. “Teshavesha” është ndërmarje sociale e themeluar nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë dhe bën pranimin dhe shitjen e rrobave të dorës së dytë nga qytetarët. Të hyrat nga shitjet e dyqanit ndihmojnë shëndetin e nënave dhe fëmijëve duke financuar projektet e këtij fondacioni si: blerjen e medikamenteve, zhvillimin e projektit të transportit neonatal, blerjen e pajisjeve mjekësore si inkubatorë, foto-llampa, monitor kardiopulmonar, ventilatorë, tubues e pajisje të tjera, si dhe zgjerimin e shërbimeve të qendrave informuese për shëndetin e gruas.

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë është fondacion humanitar që i përkushtohet shpëtimit të jetës së fëmijëve dhe nënave në Kosovë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme