Parku afër “1 Tetorit”, plot mbeturina dhe i dëmtuar vetëm pesë ditë pas inaugurimit

16 gusht 2017 20:00

Vetëm pesë ditë u mbijetoi dëmtimeve parku më i ri i kryeqytetit. Zona më e re e gjelbëruar në Prishtinë afër sallës “1 tetori”, pak ditë pas inaugurimit, është mbushur me mbeturina, derisa janë demoluar pjesë të lojërave të tij.

17-vjeçari Vehbi Ajvazi, i cili rregullisht po e viziton këtë park, tregon se ditën e dytë pas hapjes së tij filluan dëmtimet. Ai për këtë ua hedh fajin prindërve, të cilët sipas tij, vinë në mbrëmje e hedhin bërllokun në tokë edhe përkundër numrit të madh të shportave, raporton KTV.

Kurse, Eron Begolli, i cili e viziton për herë të parë këtë park, shprehet i pakënaqur me pamjen e tij.

Zyrtarët komunalë i kanë thënë KTV-së se dëmtimet e hapësirave publike në kryeqytet shpeshherë janë të qëllimshme.

Por, shkatërrimi i pronës publike nuk po ndodh vetëm gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes. Në përgjithësi, në Kosovë hapësirat e përbashkëta nuk ruhen aspak.

Një rast i dëmtimit u evidentua edhe në Parkun e Gërmisë ditë më parë.

Sipas rregullores për shërbime publike, dëmtimi i objekteve me interes të përgjithshëm, siç janë parqet në këtë rast, dënohet me gjobë prej 15 deri në 500 euro.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme