Në Shkabaj ku u ndal ndriçimi publik janë në hall të madh me hajnat

05 mars 2017 21:59

Një pjesë e banorëve të fshatit Shkabaj janë në hall me hajnat.

Brenda një periudhe jo shumë të gjatë kohore, kjo pjesë e fshatit ka pasur vjedhje të ndryshme, raporton KTV.

Pak kohë më parë, një banori i është vjedhur një veturë e tipit Golf 5 dhe krejt kjo, sipas banorëve, po ndodh për shkak të ndërprerjes së ndriçimit publik.

Duke qenë se kjo pjesë është buzë rrugës që të dërgon për në Obiliq dhe në magjistralen për Mitrovicë, banorët thonë se askush deri më tani nuk iu doli në ndihmë.

Brahimit, përpos vjedhjes së veturës së tipit Golf 2, ia mbytën rreth 40 pula qentë endacakë.

Ndërsa shtëpia e Besim Krasniqit u vodh dy herë.

Përpos vjedhjes së pajisjeve shtëpiake, herën e parë atij ia vodhën edhe dritaret e shtëpisë.

Nga ajo kohë, Krasniqi thotë të mos e ketë lënë asnjëherë shtëpinë pa askënd.

Ai ka thënë se në mungesë të ndriçimit, është rrezikuar edhe jeta e banorëve nga veturat, të cilat vijnë me shpejtësi të madhe.

Në KEDS kanë bërë të ditur se shkyçja e ndriçimit publik është bërë për shkak të borxhit, i cili kap shifrën e rreth 10,000 eurove, ndërsa këtë duhet ta paguajë Ministria e Infrastrukturës.

Zyrtarë të kësaj ministrie kanë bërë të ditur se ata deri më tani kanë rregulluar dhe mirëmbajtur ndriçimin publik në rrugën nacionale në drejtimin kryesor Prishtinë-Mitrovicë.

Mirëpo, kjo ministri ka thënë se rrugët lidhëse në këtë pjesë kanë menduar se do t’i marrë përsipër t’i paguajë komuna, pasi ato nuk janë në rrugën kryesore me 4 korsi.

Megjithatë, kanë dhënë shpresa se kjo çështje do të rregullohet mes tyre dhe KEDS-it.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme