Arbër Vllahiu kandidat i AAK-së për Prishtinën?

Arbër Vllahiu kandidat i AAK-së për Prishtinën?

12 gusht 2017 09:36

Ish-këshilltari i presidentes Atifete Jahjaga, Arbër Vllahiu, do të jetë kandidat i AAK-së për Komunën e Prishtinës në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor.

Burime të KTV-së kanë konfirmuar se Vllahiu do të prezantohet si kandidat i Prishtinës në konferencën për media, të cilën AAK-ja e ka paralajmëruar sot në orën 11:00.

“Me këtë rast vizionin e tij për Prishtinën do ta shpalosë edhe kandidati për Prishtinën, ndërkaq arsyetimin e kësaj kandidature do ta bëjë kryetari i AAK, Ramush Haradinaj”, thuhet në njoftim e AAK-së.

Dy herë radhazi AAK-ja kishte kandiduar në Prishtinë me Besnik Tahirin.

Kandidaturën për Prishtinë deri më tani e ka konfirmuar Shpend Ahmeti i Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputetja e LDK-së, Hikmete Bajrami të premten në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se kanë kandidat të fortë për t’iu kundërpërgjigjur Ahmetit, derisa ka shtuar se zgjedhjet e 11 qershorit kanë përcaktuar kandidatët potencialë për këtë garë.

Nga radhët e PDK-së jo zyrtarisht është thënë se do të kandidojë Lirak Çelaj.

Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë është në koalicion me AAK-në, e cila me Gent Begollin udhëheq me Drejtorinë e shërbimeve publike.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme