Pas shumë vitesh pritje, shkolla në Arbëri pritet të përfundojë këtë vit

Pas shumë vitesh pritje, shkolla në Arbëri pritet të përfundojë këtë vit

05 mars 2017 11:22

​Ndërtimi i shkollës fillore në lagjen Arbëria ka filluar në vitin 2010, por që ky objekt nuk ka përfunduar ende. Arsyeja se pse është ndërprerë punimi i kësaj shkolle ka qenë një kontest pronësor. Ndërsa prindërit ballafaqohen me shumë vështirësi për t’i dërguar fëmijët në shkollat e lagjeve tjera.

Albulena Dobruna paguan 40 euro transport për dy fëmijët e saj për t’i dërguar në Shkollën Model, pasi që shkolla në lagjen Arbëria nuk është përfunduar ende.

Dobruna tha se përfundimi i kësaj shkolle është shumë i rëndësishëm, pasi që nuk do t’i duhet më të paguajë edhe transportin për fëmijët e saj.

Zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, tha për KosovaPress se arsyeja e ndërprerjes së punimeve të kësaj shkolle, ka qenë për shkak të një kontesti pronësor, por që ajo tha se ky kontest është zgjidhur dhe shkolla do të përfundojë gjatë këtij viti.

“Ndërtimi i shkollës në lagjen Arbëria ka filluar, kemi pasur një kontest pronësor, i cili tashmë është evituar, pra është zgjidhur dhe me përmirësimin e kohës dhe me fillimin e sezonit për ndërtim, do të vazhdojë edhe ndërtimi i objektit të shkollës dhe do të përfundojë brenda këtij viti. Do të përfundojë dhe do të funksionalizohet”, tha ajo.

Valentina Azemi, nënë e dy fëmijëve, që po ashtu vajzën e saj e dërgon në Shkollën Model, tha për KosovaPress se është shume e rëndësishme që të përfundojë shkolla, pasi që sipas saj, është shumë e vështirë për nënat që t’i dërgojnë fëmijët në shkolla larg shtëpive.

Ndërsa, Bedri Krasniqi, i cili kishte shkuar për të marrë nipin dhe mbesën nga shkolla, tha për KP se është shumë e rëndësishme që të përfundojë ndërtimi i shkollës, pasi që sipas tij fëmijët duhet të ecin gjysmë ore për të shkuar në shkollat e tjera.

Sa i përket premtimit të Komunës së Prishtinës, e cila ka thënë që shkolla do të përfundojë gjatë këtij viti, Krasniqi, u shpreh skeptik, duke thënë se edhe më herët kishin thënë kështu.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme