Arbëri

Braktisin shkollimin në mungesë të transportit publik

Në kryeqytet ka çdo pesë minuta autobusë por nëpër fshatra të Komunës së Prishtinës nxënësit po e braktisin shkollimin e mesëm në mungesë të një linje për qytet.

Kanë gati një vit që kur e përfunduan klasën e nëntë. Por, Albina dhe Endrit Bekteshi, nuk kanë mundur ta vazhdojnë shkollimin e mesëm, në mungesë të transportit nga Gllogovica në Prishtinë, bën të ditur emisioni “038” i KTV-së.

Dy të rinjtë, 15 e 16 vjeç, që jetojnë 35 kilometra larg kryeqytetit, kanë një lutje për komunarët - sigurimin e transportit për vazhdimin e shkollës.

Pos Gllogovicës, edhe fshatrat tjera si Dabishec e Hajkobillë, përballen me mungesën e një linje të rregullt të transportit.

Komuna e Prishtinës ka siguruar transport nxënësit të shkollës fillore “Dëshmorët e prillit 1999”, të ndarë në tri paralele në këto fshatra.

Por, jo edhe për ata që e përfundojnë klasën e nëntë, edhe pse ka pasur kërkesa për sigurimin e këtij shërbimi.

Kjo mungesë mund të bëjë që edhe afro 10 nxënës, që pritet të përfundojnë klasën e nëntë këtë vit, të kenë fatin e njëjtë fëmijët e familjes Bekteshi, të cilët nuk janë të vetmit që kanë ndalur shkollimin e mesëm në mungesë të transportit.

Në Komunën e Prishtinës, thonë se nuk kanë pranuar asnjë kërkesë për transport për nxënësit e shkollave të mesme të këtyre fshatrave, por shtojnë se porsa të pranojnë ndonjë të tillë, do ta shqyrtojnë.

Por, banorët e kësaj ane, thonë se kanë bërë disa kërkesa për linjë të rregullt autobusi dhe transport të veçantë për nxënësit, mirëpo deri tash kanë marrë vetëm premtime.


Braktisin shkollimin në mungesë të transportit... by kohanet