Arbëri

Termokos u bën thirrje qytetarëve të përfitojnë nga falja e borxheve

Termokos në Prishtinë u ka bërë sot thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë kohën e mbetur për të përfituar nga falja e borxheve deri më 1 shtator.

Kjo ndërmarrje përkujton se që nga hyrja në fuqi e Ligjit për faljen e borxheve publike, nëpërmes marrëveshjeve që kanë lidhur me NP “Termokos” SH.A afro 4 mijë konsumatorë kanë përfituar nga falja e borxheve dhe deri më tash janë falur mbi 4 milionë euro borxhe të konsumatorëve, transmeton KosovaPress.

Termokos bën me dije se ndonëse afati ligjor për implementim ishte zgjatur deri më 1 shtator 2017, ende shumë konsumatorë nuk kanë shprehur interesim për të përfituar nga falja e borxheve publike.

“Rikujtojmë konsumatorët tanë se edhe pak ditë kanë mbetur për përfundimin e afatit ligjor, andaj le të shfrytëzojnë këtë periudhë për të përfituar nga mundësitë, që u jep Ligji për faljen e borxheve publike për të shlyer borxhet, që kanë ndaj ndërmarrjes sonë”, thuhet në komunikatë.