Arbëri

“Trafiku Urban” s’liron nga pagesa personat me asistencë sociale, përplasen MPMS e Komuna

Për vite të tëra, kategori të ndryshme shoqërore udhëtuan me autobusë të “Trafikut Urban” pa pagesë, pasi këtë ua kishin mundësuar vetë udhëheqësit e kësaj Ndërmarrjeje.

Madje, këtë të drejtë e gëzuan edhe shumë persona të tjerë, familjarë e të afërm, që kishin lidhje me anëtarët e bordit të “Trafikut Urban”.

Por, drejtuesit e rinj të ndërmarrjes e kanë ndryshuar këtë praktikë. Pjesëtarëve të policisë, atyre të FSK-së dhe tash së fundi edhe personave me asistencë sociale ua hoqën këtë të drejtë, për shkak të gjendjes së rëndë në të cilën ndodhet kjo ndërmarrje.

Mustafa thotë se disa herë kanë kërkuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale që të arrijnë një marrëveshje sikur me komunën e Prishtinës për pensionistët, por nuk kanë marrë përgjigje pozitive.

Ministri në detyrë i kësaj Ministrie, Arban Abrashi, thotë se gjithçka që lidhet me “Trafikun Urban” është kompetencë e Komunës së Prishtinës.

“Sigurimi i transportit falas përmes “Trafikut Urban” për kategori të ndryshme shoqërore, përfshirë këtu edhe personat me asistencë sociale, është kompetencë e Komunës së Prishtinës. Kjo e fundit ka 30 milionë suficit, ndërkaq drejtuesit e “Trafikut Urban” nuk mund të na e hedhin fajin neve si Ministri e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, ka thënë Abrashi.

Por, Komuna e Prishtinës thotë se për të mbështetur këto kategori, duhet që Ministria e Punës të ndajë mjetet.

Madje, zyrtarët deklarojnë se Ministrisë në fjalë i kanë dërguar disa herë kërkesa.

Të liruar nga pagesat, bazuar në rregulloren e brendshme të “Trafikut Urban”, tash e janë vetëm fëmijët nën moshën 7-vjeçare, personat me aftësi të kufizuara dhe pensionistët.