Arbëri

KK i Prishtinës prezanton projektin e Xhamisë Qendrore, merr mbështetjen e të gjithëve

Asnjë vendim nuk është marrë, por për disa orë rresht në Kuvendin Komunal të Prishtinës është diskutuar rreth projektit të Xhamisë Qendrore të Prishtinës, e paraparë të ndërtohet në lagjen Dardania.

I pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, në fillim të diskutimit ka thënë se këtë debat e ka kërkuar për t’i dëgjuar qëndrimet e partive në Kuvend, e jo përmes portaleve, raporton KTV.

Para prezantimit të projektit, sekretari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepi, tha se është koha e fundit që xhamia të ndërtohet. Ndërsa, shtoi se ajo nuk duhet politizuar.

Por, zyrtarë të BIK-ut pranuan se ky projekt ka devijim nga plani rregullues. Sipas projektit aktual, xhamia e re parashihet të ketë bibliotekë, sallë konferencash, pjesën e dyqaneve dhe dy kate të parkingjeve nëntokësore me 350 vendparkime, që mund të shfrytëzohen edhe nga qytetarët tjerë.

Mjetet e përfituara, sipas Ramadanit, do të përdoren për mirëmbajtjen e 15 mijë metrave katrorë të xhamisë. Të gjitha grupet e asamblistëve u deklaruan pro ndërtimit të xhamisë, por nuk munguan vërejtjet e pyetjet për projektin. Derisa tha se “nuk bëhet nami nëse një grup i vogël njerëzish janë kundër xhamisë”, Shefki Gashi i LDK-së, shtoi se do të donte që xhamia të ndërtohej me para të kosovarëve.

Pro ndërtimit të një xhamie është deklaruar edhe Visar Arifaj i Partisë së Fortë, por ka kundërshtuar projektin aktual, të cilin e quajti “ vetëm kopje”.

Në fund të diskutimit ku, me gjithë vërejtjet, të gjithë u deklaruan pro ndërtimit të xhamisë, Shpend Ahmeti tha se ka dashur që të ketë konsensus para veprimeve tjera.

Ahmeti në fund tha se personalisht do të donte që xhamia të financohej me para të kosovarëve, por shtoi se “realiteti është ky që është”.

Ndërtimi i xhamisë së re mbetet ende peng i mosdhënies së lejes për shkak problemeve të projektit me planin rregullues dhe çështjes së lokaleve.

Ndërtimin e xhamisë, e cila do të kushtojë rreth 30 milionë euro, e gurthemeli i së cilës është vënë para 5 vjetësh, do të financojë Bashkësia Islame e Turqisë.