Arbëri

Komuna e Prishtinës paralajmëron padi ndaj PDK-së për akuzat që kjo parti po ia bën qeverisjes së VV-së

Komuna e Prishtinës do të ushtrojë padi ndaj Partisë Demokratike të Kosovës. Shkak për këtë janë bërë akuzat e PDK-së ndaj qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.

Zëdhënësi Adonis Tahiri, ka thënë se janë në përgatitje të padisë, pasi, sipas tij, janë lodhur nga shpifjet e zyrtarëve të PDK-së, raporton KTV.

Shpifje dhe aspak të pavërtetë Tahiri e ka quajtur edhe deklaratën e kandidatit potencial për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e ardhshme lokale, nga PDK-ja, Lirak Çelaj.

Ky i fundit, në Interaktiv të KTV-së, ndër tjera ka thënë se Shpend Ahmeti është intervistuar nga Prokuroria në cilësinë e të dyshuarit për projektin “Kodrina”.

Çelaj, kohë më parë, publikisht e pati ftuar Prokurorinë që të hetojë marrëveshjen e arritur mes Komunës së Prishtinës dhe ndërmarrjes “Tregita” për projektin “Kodrina”, pasi, sipas tij, ka pasur shkelje procedurale.

Televizioni ka kërkuar nga Prokuroria nëse ka pasur ose është nisur ndonjë hetim lidhur me këtë, por gjatë ditës nuk ka marrë përgjigje.

Projekti “Kodrinat” planifikohet të realizohet në lagjen “Mati 2” brenda dhjetë vjetëve.