Arbëri

Prishtina do të bëjë testime me unazë qendrore njëkahore edhe në ditë të punës

Descriptive Text

Udhëheqësi i Task-Forcës për komunikacion në Komunën e Prishtinës, Halil Halili, ka thënë se do të vazhdojnë testimet me qarkore njëkahore të unazës së Prishtinës edhe mëtutje.

Halili në emisionin “038” në KTV ka thënë se do të bëhen testime edhe në ditë të punës, në ditë me shi dhe po ashtu në ditë pushimi, për të dal deri te një vendim.

Në Prishtinë të shtunën dhe të dielën, unaza qendrore e Prishtinës u kthye në rrugë njëkahëshe.

“Për të shkuar deri te një vendim e vlerësim të informatave të sakta, na duhen disa teste shtesë. Do të jenë testet gjatë ditëve të punës, ditëve me shi, ditëve me kohë të mira. Ditëve të tjera të javës, ose edhe gjatë ditëve të festave. Nuk mund të shkojmë me projekt dyditor. Me faza të caktuara shkojmë deri te një vendim. Nuk do të zgjasë shumë së shpejti do të shkojmë në faza tjera e deri te vendimi”, tha Halili.

Ai ka thënë se një prej problemeve është edhe dislokimi i elementeve të ndryshme, përfshirë edhe drunjëve e shtyllave elektrike, si te rasti te rruga “Agim Ramadani”.

“Duhet analizuar mirë, dislokimi i elementeve të ndryshme, drunjtë, shtyllat e ndriçimit e elemente tjera, janë pjesë e analizës. Si te rasti te rruga ‘Agim Ramadani’. Këto paraqesin pengesë për zhvillim normal të komunikacionit. Parashihet të bëhet edhe një projekt në detaj për këtë segmente rrugor, ku e kemi edhe udhëkryqin me rreth rrotullim klasik te komuna e vjetër ku lidhet rruga “UÇK” me atë “Agim Ramadani” e “Ilir Konushevci”. E kemi rrethin aty që është me fontanë, duhet analizuar qysh do të largohet apo nëse ka projekt paraprak për atë pjesë. Ne në task-forcë do të analizojmë gjendjen aktuale dhe do t’u dërgojmë raport drejtorive përkatëse”, tha Halili.

Ai ka vlerësuar se testimet dyditore kanë shkuar mirë.

“Ka pasur ankesa nga qytetarët, por ka pasur edhe reagime pozitive”, tha Halili.

Ai ka thënë se të shtunën ka pasur më tepër ngarkesë në rrugën “Robert Doll” për faktin se janë zhvilluar punime nga KEDS-I dhe ujësjellësi në atë zonë.

E reshteri i Policisë, Arsim Gollubovci, që po ashtu është pjesë e Task-forcës, tha se testimi ishte i mirë, ndërsa pjesa më e madhe e ngarkesës ishte në dalje, te rruga “Robert Doll” në drejtim të Fushë-Kosovës.

“Falënderojmë qytetarët që kanë vepruar në mënyrë të rregullt”, tha Gollubovci.

Halil Halili ka thënë se po punohet edhe në disa segmente tjera, një prej tyre është edhe lidhja e lagjes “Emshir” me “Dardaninë” nëpërmjet rrugës “Fatime Sokoli” te Stacioni i Autobusëve, duke liruar hapësirat ku janë vendosur laura.

“Jemi duke e bërë hartimin e projektit të asaj pjese, po e analizojmë pjesën ku duhet intervenuar, dhe si duhet intervenuar”, tha Halili.

Halili ka thënë se do të shqyrtohen edhe arteriet kryesore, që janë nga “Rrethi i Flamurit”, më pas rruga te “Bregu i Diellit”, “Mati” e pjesë tjera.