Arbëri

Semaforë jofunksionalë, kërkohet digjitalizimi i tyre

Vetëm 15 sekonda për të kaluar rrugën me 4 korsi dhe një ishull në mes.

Koha e kalimit të semaforëve afër Stacionit të Autobusëve po vlerësohet të jetë e shkurtër dhe e pamjaftueshme për një rrugë ku veturat kalojnë me një shpejtësi më të madhe.

Sipas njohësit të komunikacionit, Bekim Ahmeti, kjo kohë është shumë e shkurtër për nënat me karroca dhe për personat në moshë të shtyrë.

Sipas Ahmetit, Komuna e Prishtinës përveç ndryshimeve që po ndërmerr, është e rëndësishme të bëjë ndryshime edhe në semaforë, pasi ata nuk funksionojnë siç duhet.

“Semaforët në këtë vend janë me kohë fikse, kohë e vjetruar, në kohë të sotme asnjë shtet nuk funksionon në këtë mënyrë. Tani janë me sistem inteligjent, detektor. Koha të cilën e përshkon një këmbësor nëse është një nënë me karrocë, apo një person i shtyrë në moshë që ecin 2.5 kilometra mesatarisht, nuk mund të mbërrijnë prej njërës anë në anën tjetër. Duhet Komuna e Prishtinës të bashkëpunojë me Ministrinë dhe ta krijojnë një qendër kontrolluese dhe kësisoj të kemi një kontrollim”, thotë Ahmeti.

Komuna e Prishtinës thotë se punimi me sinjalizuesit është hapi i tyre i radhës. Sipas drejtorit të Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, ata janë duke pritur njësitet policore që të vendosin për to.

Për momentin si synim kanë ndryshimin e rrugëve, të cilat po vlerësojnë se do të ndihmojnë në lirimin e komunikacionit brenda Prishtinës.

Ndryshimi i rrugës “Hekurudha” prej njëkahore në atë me dy drejtime të kundërta, ka qenë testimi i parë i tyre.

Megjithatë, kjo nuk ka shkuar siç duhet. Për shkak të mosvendosjes së shenjave, shoferët që kanë fituar shprehinë e kalimit në atë rrugë si njëkahore, përballeshin me veturat që vinin nga kahu i kundërt.

“Me vendimin e task-forcës për komunikacion, është menduar të ndryshohet nga rruga njëkahore në atë dykahore me kahe të kundërta, me këtë synojmë të lirojmë nga ngarkesa rrugën ‘Bill Clinton’ dhe rrugën ‘Ahmet Krasniqi’”, ka thënë Musliu. Si mbështetje kemi njësitet policore që shumë shpejt pritet të vijnë dhe do të vendosim edhe sinjalistikën. Për një javë njësia policore të jetë në shërbime dhe qytetarët të heqin shprehinë se kjo rrugë është njëkahëshe”, tha Ilirik Musliu, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës.

Pas kësaj pritet të largohen edhe laurat te Stacioni i Autobusëve, me anë të të cilave do të mundësohet edhe kalimi nga lagjja “Kalabria” për në “Dardani”.

Për këtë task-forca e formuar për studimin e pikave nga ku po vjen kaosi në Prishtinë janë në diskutim me menaxhmetin e Stacionit të Autobusëve.

“Jemi duke diskutuar në lidhje me këtë çështje. Jemi duke pritur ekipin e ekspertëve të komunikacionit që të gjejmë një zgjidhje sa më të mirë që të zhvendosen rampat. Në këtë mënyrë duhet të gjejmë një zgjidhje që të mos pengohet komunikacioni nëpër rrugën që lidhin Dardaninë me Kalabrinë, e në anën tjetër të mos bllokohet as laura, që do shërbejë për hyrjen në Stacionin e Autobusëve”, tha Arianit Grezda, ushtrues detyre i drejtorit të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë.

Qytetarët mendojnë se ka shumë nevojë për ndryshime në komunikacion.

Të gjitha këto ndryshime, sipas Komunës së Prishtinës, do të bëhen me kosto shumë të ulët të buxhetit.