Mospajtime mes Komunës së Prishtinës dhe MASHT-it për shuarjen e gjimnazit “Eqrem Çabej”

15 korrik 2017 21:04

Gjimn azet gjuhësore në një të ardhme të afërt mund të mos ekzistojnë më si të tilla në Kosovë.

Me rishikimin e kurrikulës së arsimit, Ministria e Arsimit, ka paraparë që të ketë vetëm gjimnaz shoqëror, natyror dhe të specializuar. Njëri nga gjimnazet gjuhësore që mund të shuhet është edhe ai në kryeqytet, “Eqrem Çabej”, raporton KTV.

Por, Komuna e Prishtinës nuk është pajtuar me këtë dhe ka kërkuar që t’i lejohet veprimtaria si gjimnaz i specializuar gjuhësor.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, thotë se kanë insistuar që të ekzistojë një gjimnaz i tillë, pasi sipas saj, ka interesim dhe është një mundësi më shumë për nxënësit.

Komuna ka hapur konkurs për pranimin e nxënësve të rinj, pavarësisht që nuk ka marrë ende një përgjigje në kërkesën drejtuar Ministrisë.

Njohësit e fushës së arsimit thonë se gjimnazet gjuhësore duhet të ekzistojnë, por në numër më të vogël.

Televizioni ka provuar të marrë një qëndrim nga Ministria e Arsimit, por zyrtarë të saj as pas një jave nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkohë, Komuna ndër të tjera ka kërkuar nga MASHT-i edhe formimin e një komisioni për përgatitjen e plan-programit të gjimnazit të specializuar gjuhësor, pasi konsideron se një gjimnaz i tillë është i domosdoshëm për kryeqendrën e Kosovës dhe më gjerë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme