Arbëri

Prishtina jep afat 90 ditë për heqjen e satelitëve

U vendosën në vitet e 90-a dhe përdoreshin si mjet i informimit për qytetarët e Kosovës, gjatë kohës së ish-Jugosllavisë.

Me evoluimin e teknologjisë, satelitët, si sistem i vjetër i transmetimit, gjejnë pak përdorim në ditët e sotme.

Megjithatë, shumë banorë të Prishtinës nuk i kanë larguar ende ato.

Megjithëse ekziston rregullorja për largimin e tyre, qytetarët e Prishtinës vazhdojnë t’i mbajnë në kulmet e ndërtesave dhe në ballkonet e tyre.

Së fundmi, Komuna e Prishtinës u ka dhënë qytetarëve afat prej 90 ditësh, për largimin e antenave satelitore.

Në të kundërtën, ata do të intervenojnë vet.

“Drejtoria për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim fton qytetarët për bashkëpunim, duke larguar kështu antenat satelitore në ndërtesat e tyre të trashëguara nga sistemet e vjetra të transmetimit të cilat rrezikojnë edhe sigurinë e qytetarëve, për shkak se ato nuk mirëmbahen dhe gjithashtu ndikojnë edhe në estetikën e qytetit”, thuhet nga Drejtoria për Shërbime Publike e Komunës së Prishtinës.

Këtë iniciativë e kanë mirëpritur qytetarët.

Për shkak se ato janë vjetruar dhe ndryshkur, qytetarët thonë se është rrezik nëse nuk largohen.

Në vitin 2009, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka dalë me një rregullore me anë të së cilës, qytetarët duhej të paguanin për mbajtjen e satelitëve që shfrytëzonin hapësirat publike.

Vite më vonë është marrë vendimi për largimin e tyre.