Arbëri

Rama diskuton me policinë për lehtësimin e qarkullimit të veturave

Descriptive Text

Kryetar i Prishtinës, Përparim Rama, ka takuar sot zëvendëskomandantin rajonal për Komunikacion Rrugor, Sylejman Halili, me të cilin ka diskutuar për lirimin e hapësirave publike.

Rama thotë se me zgjidhjen e këtij problemi, të cilin e ka quajtur edhe prioritet për të, synohet lehtësimi i qarkullimit të qytetarëve të Prishtinës.

Siç njofton i pari i Prishtinës, theks i veçantë në këtë bisedë i ishte vënë rregullimit të trafikut, lirimit të trotuareve dhe ndihmës së Policisë në lehtësimin e qarkullimit të veturave në kohën kur krijohet më së shumti tollovi.

“Me theks të veçantë biseduam për rregullimin e trafikut, lirimin e trotuareve si dhe ndihmën e Policisë së Kosovës në lehtësimin e qarkullimit të veturave në orët e pikut, sidomos në këto ditë kur semaforët shpesh herë nuk punojnë për shkak të mungesës së energjisë elektrike”, ka shkruar Rama në llogarinë e tij në Facebook. “Përmirësimi i sigurisë së qytetarëve në trafik, sidomos gjatë kësaj periudhe të festave të fundvitit, për ne është prioritet”, shtoi ai.