Arbëri

Pacolli për qeverisjen me Ahmetin: Më shumë nuk është bërë se që është bërë

Selim Pacolli sot ushtroi ditën e fundit të mandatit si nënkryetar i Komunës së Prishtinës.

Nesër do të bëhet pranim-dorëzimi i detyrës dhe në vend të Pacollit do të vijë një nënkryetar tjetër, apo edhe dy.

Pacolli, si zyrtar i AKR-së, ka folur për katër vjet qeverisje me kryetarin në largim Shpend Ahmeti.

Ai në një intervistë në emisionin “038” në KTV, tha se shumë prej premtimeve nuk janë realizuar.

“Unë besoj që kanë ngelur shumë, 100 sosh do të duhej të përmbusheshin. Por janë shumë faktorë që nuk na kanë lejuar t’i përmbushnim. Janë 100 zotime të Ahmetit, plus disa të mijat që janë në implementim e sipër. Kemi mundur të bëjmë më shumë, sikur të ishim akorduar më tepër, nuk kemi qenë në nivelin e duhur të detyrës. Për 4 katër vite, janë shumë projekte që nuk janë futur fare në procedura. Vetëm 29 zotime që janë zbatuar e disa që janë në zbatim e sipër”, ka thënë Pacolli.

Pengu më i madh i tij është salla koncertale, e premtuar, por që nuk u realizua.

Pacolli ka pranuar se në raundin e dytë ka mbështetur siç ka thënë ai heshturazi, kandidatin e LDK-së, Përparim Rama, fituesin e zgjedhjeve.

Në Hajvali, ku është qendra e partisë së tij, Rama mori 740 vota më shumë në raundin e dytë. Rama mposhti Arben Vitinë e VV-së, që në raundin e parë doli shumë përpara me vota.