Arbëri

Komuna hesht, linjat private rrisin çmimin e biletave pa leje

Tri kompani private të transportit publik kanë ngritur çmimin e biletave në 50 centë, pa e marrë dritën e gjelbër nga Komuna e Prishtinës.

Dy muaj pas kërkesës së parë drejtuar Komunës për rritjen e çmimit prej 10 centësh, linjat 7A, 7B dhe 3A -“Qendra 1” kanë vendosur që të bëjnë këtë ndryshim pasi kryetari në largim, Shpend Ahmeti, nuk u ka kthyer përgjigje kërkesës së tyre.

Thonë se rritja e çmimit të derivateve dhe shumë produkteve të tjera është e papërballueshme për ta. Rritje paralajmërojnë edhe linjat e tjera.

Kryetari i Shoqatës së Transportuesve Privatë, Izet Smaili, thotë se punëtorët po punojnë pa paga qe një kohë të gjatë, prandaj ishte e detyruar kjo lëvizje në biletë.

Qytetarët kanë mendime të ndryshme duke potencuar që tashmë janë mësuar që secili produkt e shërbim të ketë rritje çmimi.

Operatorët privatë presin që të paktën kryetari i zgjedhur, Përparim Rama, të merret me ta dhe të zbatojë pikat të cilat propozohen me planin e mobilitetit, ku përfshihen edhe kontratat.