Arbëri

Zjarrfikësit kanë mjete për të shuar zjarrin vetëm deri në katin e shtatë

Descriptive Text

Gjendja aktuale e ndërtesave në Prishtinë krijon kushtet që në rast të ndonjë zjarri të mundshëm, do të shkaktohej një tragjedi sikur në Londër.

Nëse rastis që të ketë zjarr në katet më të larta se kati i shtatë, zjarrfikësit e Prishtinës do të duhet të dalin nga vetvetja. Mjetet e tyre arrijnë vetëm deri në katin e shtatë. Ky nuk është i vetmi problem i zjarrfikësve. Ketë hall e thotë edhe udhëheqësi i brigadës së zjarrfikësve, Latif Zeka.

“Pajisjet tona të cilat i kemi për të intervenuar në raste të zjarrit, arrijnë deri në katin e shtatë, e në rastet kur kemi zjarr në katet më të larta është pothuajse e pamundur që të intervenojmë”, ka thënë Zeka për Ndërtimi.info.

Problem tjetër i zjarrfikësve është mënyra për të intervenuar në vendin ku ka pasur zjarr. Kjo për shkak të hapësirës ku në rastet më të shpeshta ato trotuare janë të zëna nga automjetet e banorëve të atyre ndërtesave.

Mjafton që të shëtitësh hyrjet dhe katet e ndërtesave në lagjen “Ulpiana” dhe sheh që në korridoret e tyre nuk ka hidrat funksional, duke përfshirë rastet kur nuk ka fare. E njëjta gjendje i përcjell edhe tri rrokaqiejt e “Ulpianës”.

I pyetur nga Ndërtimi.info lidhur me problemet të cilat i kanë zjarrfikësit e Prishtinës me banesat e vjetra Zeka tha se problemet i përcjellin edhe te ndërtesat e reja, ku ka probleme me hidrantë dhe nuk ka shkallë emergjente.

Pasigurinë nga zjarri në ndërtesa ku banojnë e qajnë edhe banorët e lagjes “Ulpiana”. Gent Mataj, banor i kësaj lagjeje tregon se është jashtëzakonisht e rrezikshme gjendja në rast të ndodhjes së ndonjë aksidenti në ndërtesën ku ai banon pasi nuk ka as shkallë emergjente dhe as hidrant.

Sipas asaj që thotë Mataj, banorët duhet të ia bëjnë “qarën” vetës dhe të gjenden si të munden në këto raste. Por, shpresa më e madhe të cilën e kanë banorët e “Ulpianës”, është që të mos ketë zjarr fare. Se në të kundërtën ata mbesin vetëm dorën e fatit.

Në gjashtë muajt e fundit, Zeka tregon se kanë qenë mbi 800 raste në të cilat është intervenuar me sukses. Vetëm dy prej tyre të cilat ka pasur lëndime në njerëz dhe ato kanë qenë aksidente komunikacioni.