Puna e lypsarëve me orar në kryeqytet

Puna e lypsarëve me orar në kryeqytet

01 mars 2017 10:19

Flaka Surroi, ka publikuar një status në rrjetin social Facebook, në të cilin ka përshkruar skena që shëmtojnë atmosferën dhe pamjen e shesheve në Prishtinë.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë:

Në 8:30 e gjeni një burrë të ulur e mbështetur në banderë që e kalon ditën duke e kënduar një këngë të vetme. Në orën 18:00, po i njëjti do të mbështetet nja tri bandera më poshtë, dhe do të vazhdojë të këndojë deri në 21:00.

Në të njëjtën kohë, përballë tij do të ulet një njeri tjetër, me probleme serioze në gjymtyrë dhe në artikulim – porse do ta dëgjoni përsëritjen me ritëm të një lutjeje të njëjtë deri në mesditë. Nëse nuk është shumë ftohtë, do të dalë edhe pasdite.

Nga ora 11:00, në lartës të IPKO-s, do të dalë një djalë, i cili do të shtihet mbi pllakat e granitit dhe do të qajë duke përsëritur se është i sëmurë dhe jetim.

Nga ora 16:00, para Ringsit do të dalë një vajzë me pengesa në zhvillim mendor, e cila do t’i ndalë kryesisht burrat në kërkim të parasë. Kjo do ta pështyjë atë që refuzon të paguajë. Do të bërtasë me një zë të hollë dhe kështu deri kah ora 18:00, kur do të zhvendoset te Zahiri, për të vazhduar atje.

Posa të largohet ajo, do të dalin dy gra të moshuara, kokën mbuluar me shami, dhe do të ulen mbi ca karrige plastike ne heshtje dhe do të kërkojnë para deri nga ora 21:00, varësisht se sa njerëz qarkullojnë nëpër rrugë.

Këta njerëz lypin përkujdesje të veçantë – dhe institucionet do të duhej të ndërmerrnin diçka në këtë drejtim. Nuk është larg mendsh se janë pjesë e një skeme të organizuar, ku dikush i eksploaton për përfitime të tyre. Ndërkohë që qendra e qytetit bëhet pasqyrimi më i shëmtuar i varfërisë që e ka kapluar këtë vend.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme