Arbëri

Prishtinës nuk i mjaftojnë 5 milionë euro për subvencionimin e bizneseve

Descriptive Text

Pakoja emergjente me shumën prej 5 milionë eurosh nuk i mjaftoi Komunës së Prishtinës për t’i subvencionuar të gjitha bizneset e vogla dhe makro-bizneset, të cilën e kishte miratuar një vit më parë.

Në seancën e gjashtë, Kuvendi Komunal, me 25 vota pro dhe pa ndonjë kundërshtim, ka miratuar plotësimin e kësaj pakoje me 51 mijë euro më shumë.

Sipas nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, kjo ka qenë e nevojshme, pasi kanë mbetur edhe 50 biznese pa u subvencionuar.

“Janë 39 biznese që e tejkalojnë shumën prej 5 milionësh që e kemi pasur vendimin e Kuvendit Komunal dhe nuk kemi mund t’i injorojmë këto biznese sepse i kanë plotësuar të gjitha kriteret. Këto do të subvencionohen. Janë edhe 11 biznese për të cilat ATK na ka informuar se kanë bërë gabim gjatë aplikimit të parë dhe ato janë përfshirë, kështu që vlera totale e korrigjimit është në vlerë 51 milionë euro. Pra, pakoja e dytë nuk është pako e re, është pako e vitit të kaluar, por që plotësohet me një pako të re e cila me vlerë është 5 milionë e 51 mijë euro. Deri më tani i kemi kryer gati të gjitha bizneset, e tani presim që dhe këto 50 bizneset e tjera t’i subvencionojmë dhe me këtë e përfundojmë pakon 2 të ndihmës së bizneseve të vogla dhe makro-bizneseve të Prishtinës”, ka thënë Nushi.

Krahas kësaj, Prishtina po vazhdon t’i rimbursojë edhe qytetarët të cilët kanë kaluar virusin COVID-19 me nga 50 dhe 100 euro. Sipas Nushit, deri më tani këtë shumë e kanë marrë afër 20 mijë qytetarë të Prishtinës.

“Deri më tani janë paguar afër 20 mijë qytetarë. Të gjitha qytetarët nuk kanë aplikuar deri më tani dhe aktualisht i kemi 32 mijë aplikime dhe po shpresoj që edhe 8 mijë të tjerë – aq sa ka qenë numri i të infektuarve në Komunën e Prishtinës – të aplikojnë dhe të subvencionohen. Çdo muaj bëjmë kompensimin e qytetarëve pas procesit të verifikimit i cili është proces mjaft i gjatë, se aplikuesi aplikon vetëm me numër të letërnjoftimit dhe që ky numër i letërnjoftimit nuk përputhet me listat që i ka IKSHPK, e pastaj ne duhet t’i verifikojmë nëse është ai person me atë numër personal, pra është proces i rëndë, por ka funksionuar deri më tani. Ka pasur vonesa në realizimin e pagesave dhe po besoj që do vazhdojmë me pagesa deri në qytetarin e fundit që do të jetë i infektuar me COVID”, është shprehur Nushi.

Më 19 qershor të vitit 2020, Prishtina mori vendimin për ndihmën e bizneseve. Nga 7 mijë biznese që kanë aplikuar, vetëm 4941 prej tyre janë kualifikuar.