Arbëri

Banorët e “Muharrem Fejzës” ankohen për zvarritje punimesh, paralajmërojnë protestë

Janë bërë disa muaj prej kur kanë filluar punimet në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë, por ato ende nuk kanë përfunduar.

Kjo rrugë konsiderohet një prej rrugëve më të frekuentuara të kryeqytetit, e punimet po e vështirësojnë qarkullimin.

Dren Shahini, banor i lagjes, ka shprehur shqetësimet për mungesën e rrugëve alternative.

“Qysh prej kur kanë filluar punimet kemi ngritë zërin me vërejtjet tona për shkak të neve si banorë nuk jemi njoftuar as kur do të fillojnë punimet nuk janë hapur as rrugët alternative që të na lirohet mundësia e lëvizjes së lirë, rrugët alternative që i përdorim janë krejtësisht të dëmtuara, nuk mirëmbahen”, ka thënë Shahini.

Ai ka paralajmëruar një protestë të banorëve.

“Rrjedhimisht përditshmëria jonë në lagje është tejet e rëndë, si pasojë e kësaj më 22, ditën e enjte, ora 18 kemi ftuar një protestë e cila do të jetë protestë sensibilizuese”, ka shtuar ai.

Banori tjetër i lagjes, Avni Asllani, është për masa edhe më të rrepta.

“Moti jam për këtë protestë, këtu me m’pyet mua, banorët dalin e bllokojnë krejt këtë rrugë edhe më s’ka këtu. Qe 1 muaj ditë askush s’ka prek punë me dorë, unë jam për me ua ndalu me hy këtu edhe zyrtarëve”, tha ai.

Sipas banorëve, reshjet e shiut e bëjnë edhe më të vështirë lëvizjen në këtë rrugë.

“Ka një kohë të gjatë që kjo rrugë ka filluar të punohet është edhe një numër i madh i banorëve të cilët banojnë këtu e frekuentojnë, punët siç po e shihni edhe ju janë duke u zvarritur çdo ditë e më shumë edhe kur po ka të reshura të shiut çdo ditë po kemi probleme”, ka deklaruar Besim Haliti.

KOHA i ka dërguar pyetje Komunës së Prishtinës, por nuk ka marrë përgjigje.

Megjithatë, më 12 maj, Gëzim Rafuna Mehmeti, drejtor i Investimeve Kapitale në komunë, kishte thënë se gjatë punimeve në rrugën “Muharrem Fejza” po hasin në kyçje ilegale në rrjetin e furnizimit me ujë dhe kjo po ndikon që punimet të zvarriten.