Arbëri

Prishtina, qytet i papërshtatshëm për nënat me karroca

Descriptive Text

Më shumë i duhet të ecë në rrugë sesa në trotuar. Nëna Remzije Makolli sa herë del me karrocë rrezikon fëmijën dhe veten e saj duke ecur jashtë trotuareve. Këto të fundit janë të zëna me vetura në shumë pjesë të qytetit.

Trotuaret janë të papërshtatshme dhe nuk ofrojnë qasje të lehtë në hipje dhe zbritje nga to.

“Tashmë mund të shihni se është shumë e vështirë të hipni dhe të zbritni në rrugë, përveçqë është shumë e pasigurt, sepse asnjëherë nuk e di se çfarë do të vijë në anën tjetër. Gjithashtu është shumë e vështirë edhe nga ana fizike. Të nevojitet shumë forcë për të manipuluar me karrocën e fëmijës në mënyrë që ai të jetë i sigurt”, ka thënë Makolli.

Problemi nis në Kolovicë, lagjen ku ajo jeton dhe rëndohet më shumë në rrugën drejt qendrës.

Derisa lagjja nuk ofron vende rekreative për fëmijë, si këndi i lodrave ajo duhet të shkojë në lagjet me më shumë infrastrukturë.

“Së pari në këtë lagjen time në Kolovicë nuk kemi vende atraktive për fëmijë, kështu që mua më duhet të marr një rrugë të gjatë për të shkuar në parqet tjera. Janë dy mënyra, e para është me karrocë dhe e dyta me veturë. Me karrocë është shumë e vështirë të ecim. Ju mund ta shihni se rruga është në një gjendje jo të mirë. Më së shumti bëjnë pengesë veturat që parkohen në trotuare, pastaj kompanitë e ndryshme që marrin tenderët për t’i kryer rrugët, fillojnë një punë pastaj i lënë në gjysmë”, është shprehur tutje ajo.

Ndonëse pengesat që morën edhe emrin e kryetarit Shpend Ahmeti u kritikuan nga shoferët, ato janë mirëpritur nga nënat në kryeqytet. Por për më shumë rregull, qeverisja e Ahmetit e kërkon policinë e kryeqytetit, që vazhdon të mos plotësohet nga niveli qendror, ndonëse është detyrim ligjor.

E policia e Trafikut në kuadër të Policisë Rajonale ka thënë se ata vazhdimisht shqiptojnë gjoba për ata që parkohen në trotuare.