Arbëri

“Termokosi” mbetet prapa me futjen e gypave nëntokësorë në rrugën “Muharrem Fejza”

Me fillimin e rikonstruktimit të rrugës “Muharrem Fejza” në lagjen Mati I, kompanitë kishin deklaruar se janë dakorduar për kryerjen e punëve paralele për shtrirjen e gypave nëntokësorë. Një muaj pas fillimit të këtyre punëve, vërehen vonesa nga “Termokosi”. Bizneset, ndërkaq, kërkojnë përshpejtim të punës pasi po kanë humbje të mëdha për shkak se rruga është e bllokuar për qarkullim.

Me fillimin e punimeve për rikonstruktimin e rrugës “Muharrem Fejza” është paralajmëruar edhe futja e të gjithë gypave nëntokësorë, në mënyrë që më pas të mos ketë prerje të asfaltit.

Futjen e gypave paralelisht me kompanitë e tjera e pati paralajmëruar edhe “Termokos”-i.

Megjithatë, një gjë e tillë nuk po ndodh.

Madje, kësaj të fundit i duhet ta hapë përsëri rrugën, pasi kompania e kontraktuar nga Komuna, pas futjes së gypave të kanalizimit fekal dhe atmosferik, tashmë e ka bërë mbylljen e saj.

Bizneset që operojnë përskaj kësaj rruge po frikësohen se këto do të shkaktojnë vonesa në kryerjen e punimeve në afatin e caktuar.

Punimet janë nën çdo nivel, një ditë punohet, një ditë nuk punohet. Sot është ditë e punës dhe nuk punohet. Në vend që të hapen njëherë dhe të futen të gjithë gypat, tash vjen përsëri ‘Termokosi’ dhe e hap atë. Tash nuk e di a po mendojnë të na lehtësojnë apo të na e vështirësojnë neve punën”, është shprehur Behar Pllana, pronar i një biznesi në këtë rrugë.

Se moskryerja e punëve paralelisht mund të shkaktojë vonesa, e thotë edhe kompania “Rahovica” që po merret me rikonstruktimin e kësaj rruge.

Por, “Termokosi” nuk pranon se do të ketë vonesa.

“Në fakt, kjo është punë paralele me të gjitha kompanitë që do të shtrijnë infrastrukturën e tyre përgjatë rrugës ‘Muharrem Fejza’, por paraprakisht sipas planit që është dakorduar me Komunën, do të shtrihet rrjeti i ujësjellësit dhe kanalizimit, sepse shkojnë në një nivel më poshtë. Mund të jetë ndonjë mbyllje e përkohshme, nuk është bërë ngjeshja e rërës apo e përbërësve tjerë që janë të domosdoshëm para shtrirjes së asfaltit”, ka deklaruar zëdhënësja e “Termokosit”, Afërdita Uka.

Banorët e lagjes Mati I kanë paralajmëruar protestë për ditën e hënë.

Sipas kontratës, afati kohor për përfundimin e punëve në rrugën “Muharrem Fejza” është 4 muaj.