Arbëri

Përparim Rama, kandidat i LDK-së për Prishtinën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka prezantuar Përparim Ramën si kandidatin e kësaj partie për të parin e Prishtinës në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë.

Abdixhiku përmes një njoftimi në Facebook ka konfirmuar se Rama, i cili ka jetuar e punuar në Londër, do të jetë kandidati me të cilin LDK-ja do të synojë ta kthejë në qeverisje Prishtinën.

“Përparim Rama është arkitekti e urbanisti më i njohur shqipar - i vlerësuar me çmime ndërkombëtare gjithandej nëpër botë. Përvoja e jashtëzakonshme e tij me punë në Londër tash e sa vjet e bën Përparimin një aset nacional të vendit; një përfaqësues të denjë të komuniteti profesional e shoqërisë në përgjithësi - brenda e në diasporë padallim. I njohur për angazhimin e tij kryesor në planifikim hapësinor të Lojrave Olimpike në Londër në vitin 2012; për angazhimin e tij në ndërtimin e vizionit të Doha’s, kryeqytetit të Katarit; për projekte madhore në New York, Dublin, Bazel, Pragë e deri në Damask të Sirisë - Rama i Prishtinës mbanë një bagazh të mbresëlënës të shenjave që i mbijetojnë kohës. Tani ka ardhë koha që ecjen e tij nëpër botë ta ndërpresim; e këtë bagazh të madh të tij ta kthejmë në qytetin e tij e tonin - në Prishtinë. Ky vend bëhet mirë kur më të mirët japin veten. Përparimi është i tillë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Kryetari i LDK-së shton se me Ramën ai është takuar disa herë ‘’për të folur rreth problemeve më bazike të kryeqytetit’’.

“Gjatë muajve të fundit kam takuar Përparimin disa herë. Kemi folur shtruar e qartë për problemet më bazike të Kryeqytetit. Për ngufatjen, ndotjen, ngarkesën e për dhënien e shpirtit të qytetit - të pamjes e përvojës, të hapësirës e komunitetit, të organizimit të vet jetës - të ndërtimit të Prishtinës në qytetin që e duam të gjithë. Kam qenë i mahnitur jo vetëm me dashurinë e tij ndaj Kryeqytetit por edhe me zgjidhjet e tij për problemet tona më bazike. Përparimi ka vizionin që e kërkojmë tash e sa kohë. Jam i bindur se do ta pranoni këtë vizion”, shkroi Abdixhiku.

“Përparimi i Prishtinës është edhe përparimi jonë që e kërkojmë tash e sa kohë. Qytetit po i japim një kryetar që i jep shkëlqimin që e meriton; e LDK-së rikthimin e madh”, nënvizoi kryetari i LDK-së.