Arbëri

Shqetësuese siguria e nxënësve, oborret e shkollave shfrytëzohen nga të gjithë

Descriptive Text

Përveç nxënësve, në objektet shkollore të Prishtinës çdo ditë qarkullojnë edhe qytetarë të ndryshëm.

Duke ekzistuar dy e më shumë dyer në rrethojat e objektit shkollor, paralelisht me nxënësit oborret shfrytëzohen edhe nga komuniteti për qarkullim të lirë si shteg i shkurtër.

Një dukuri e tillë po paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për nxënësit, pasi shkollat nuk po arrijnë t’i ndalin qytetarët të mos kalojnë nëpër oborret e shkollave.

Megjithëse ekziston personeli i sigurimit, drejtoresha e Shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Naim Frashëri”, Shqipe Vllasaliu-Mehmeti, thotë se kanë tentuar disa herë që t’i mbyllin dyert e oborrit, mirëpo kanë hasur në kundërshtimin e qytetarëve.

“Komuniteti janë mësuar të frekuentojnë këtë pjesë të rrugës dhe po ka kogja vështirësi t’ia arrijmë që shkolla të jetë një objekt i sigurt plotësisht ashtu siç e dëshirojnë së pari prindërit, ashtu siç e dëshirojnë të gjithë nxënësit. Është pak e vështirë. Nuk është evidentuar ndonjë incident ka mundur të na shqetësojë kaq shumë, mirëpo frekuentimi i qytetarëve po ekziston dhe po pretendojmë gjatë gjithë kohës i mbyllim dyert, mirëpo kemi raste kur edhe me dana të hekurit këputet teli, po është rrezik, sepse ka fëmijë që po i kalojnë grilat pasi janë mësuar ta frekuentojnë këtë rrugë, prapë është ana tjetër e rrezikshmërisë”, ka thënë Vllasaliu-Mehmeti.

Moszgjidhja dhe neglizhenca e këtij problemi nga institucionet përkatëse, është shumë shqetësuese, sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja.

Ai thotë se problemet brenda shkollave shpesheherë vijnë si rezultat i individëve jashtë shkollave.

“ Siguria në shkolla është një problem i pashmangshëm, i cili vazhdon të jetë prezent i neglizhencës institucionale, qoftë në nivel të politikave, po ashtu, edhe në nivel të zbatimit të saj nga qeverisja lokale. Nevojitet një rishikim i thellë i legjislacionit aktual, por edhe i plot implikimeve tjera në mënyrë që të garantojnë siguri më të madhe të shkollave, por edhe i vetëdijesimit të komunitetit, rolin dhe fuqinë që ka karshi një sigurie më të madh brenda shkollave. Plot herë problemi brenda shkollave vije si rezultat i individëve jashtë shkollës dhe kjo pastaj lidhet drejtpërdrejt në mungesë të sigurisë për oborrin e shkollës dhe vetë institucionin, prandaj shfaqen probleme të tilla dhe do vazhdojnë të shfaqen përderisa nuk ofrojmë një zgjidhje institucionale karshi këtij problemi”, ka thënë Qehaja.

Qehaja tregon mënyrat se si mund të rritet niveli i sigurisë nëpër shkolla.

“Ne vlerësojmë se një pavarësi më e madhe financiare për vetë shkollën do t’iu mundësonte po të njëjtave në mënyrë shumë efektive të reagojnë karshi rasteve, kjo nënkupton një kontraktim të një kompanie të sigurimit me numër më të madh, pastaj investime në rrethoja dhe investime të tjera në infrastrukturë që sigurojnë në një siguri më të madh dhe që janë të ndërlidhura nga reagimi i institucionit të shkollës. Këto investime duhet të delegohen te shkollat në mënyrë që edhe përgjegjësia të bie te ky institucion”, ka shtuar ai.

Pasiguria në shkolla është një nga shqetësimet kryesore edhe të prindërve. Ata kërkojnë vendosjen e kamerave dhe prezencën më të shpeshtë të policisë rreth objekteve shkollore.

“Është një nga shqetësimet më të shpeshta që në takimet e prindërve apo në mbledhje shqetësim kryesor kanë qenë çështja e sigurisë. Ne e dimë se shkollat, pra institucionet edukative-arsimore i frekuentojnë mosha të ndryshme të fëmijëve deri në moshën e adoleshencës. Meqenëse gjatë këtij zhvillimi të fëmijëve ka edhe ndryshime në sjellje të tyre, unë mendoj se sigurimi në shkolla duhet të jetë prioritet, sidomos monitorimi i të gjitha shkollave, pra monitorimi i të gjitha shkollave brenda, e sidomos jashtë me vendosjen e kamerave. Duhet të rritet numri i vizitave nga ana e policisë në mënyrë që secili të jetë në momentin e duhur dhe të mos ketë dukuri që po i hasim ditëve të fundit”, ka thënë përfaqësuesja e Këshillit të Prindërve në Prishtinë, Majlinda Nushi, për emisionin 038.

Drejtoria Komunale e Arsimit ka treguar pse po lejojnë që oborret e shkollave në qendër të kryeqytetit të përdoren nga komuniteti.

“Pothuajse në të gjitha shkollat e qendrës së qytetit, oborret e shkollave janë të hapura për komunitetin, kjo është bërë me kërkesë të banorëve për të luajtur fëmijët në fushat sportive gjatë ditëve të vikendit, për shkak të mungesës së këtyre hapësirave në lagje. DKA-ja ka filluar dhe është në proces të mbylljes së disa oborreve të shkollave pas procesit mësimor, kur nuk ka nxënës në shkollë, por reagimet e banorëve kanë qenë të shumta dhe jo të pranueshme. Por ne do të vazhdojmë duke i rrethuar oborret e shkollave dhe shfrytëzimi i tyre do të bëhet vetëm me rezervime të terminëve nga klube apo grupeve sportive”, u tha se zyrtarja e lartë e arsimit në Prishtinë, Ardiana Ismaili.

Ndërsa, ajo tregon edhe për sulmet që kanë pësuar rojet në rastet kur kanë tentuar t’i pengojnë qytetarët për shfrytëzimin e hapësirave të shkollës.

“Fushat sportive, këndet e lojërave, parqet janë vendet ku fëmijët luajnë e argëtohen dhe është në përgjegjësinë e prindërve në kohën kur fëmijët nuk janë në procesin mësimor të kujdesen për sigurinë e fëmijëve të tyre, kurse gjatë procesit mësimor këtë përgjegjësi e bartin shkollat. Në shumicën e shkollave ka roje, të cilët janë përgjegjës për sigurinë e objektit shkollor, por në momentin që oborri i shkollës është i hapur, nuk pengohen banorët që t’i shfrytëzojnë hapësirat e fushave sportive. Kemi pasur raste në shkolla kur rojet janë sulmuar fizikisht nga individë të ndryshëm, nëse kanë tentuar që t’i largojnë nga oborri i institucionit”.

Javë më parë në oborrin e një shkolle fillore në Prishtinë, ka ndodhur një ngacmim seksual i një vajze rreth 6 vjeçe nga disa nxënës të klasës së shtatë që thuhet të jenë po të kësaj shkolle.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë periudhës janar-prill të këtij viti janë raportuar gjithsej 17 incidente në shkollat e Prishtinës, ku kryesisht ka pasur lëndime trupore, dëmtim prone dhe kanosje.