Arbëri

Ujësjellësi ç’kyç nga sistemi i rrjetit një hyrje në Prishtinë

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” sh.a. njofton konsumatorët se sot, me datë 20.06.2017, ekipet e ç’kyçjes në bashkëpunim dhe bashkëveprim me departamentet përkatëse, kanë ndërmarrë veprim të domosdoshëm dhe ligjor – ç’kyçjen nga furnizimi me ujë të pijshëm të Hyrjes A/16 në rrugën “Bill Klinton”.

“Ju njoftojmë se deri te veprimi i ç’kyçjes së kësaj hyrje kemi ardhur, pasi që konsumatorët të cilët banojnë aty, nuk kanë qenë të gatshëm t’i kryejnë obligimet financiare që kanë ndaj KRU “Prishtina”. Përkundër shumë vërejtjeve, këshillave dhe takimeve që kemi pasur me banorë të kësaj hyrje, ata nuk kanë qenë të gatshëm që të sanojnë prishjen e brendshme dhe t’i kryejnë obligimet e tyre, si rezultat i kësaj jemi detyruar të aplikojmë Ligjin Për Rregullimin e Shërbimeve të Ujit Nr.05/L-42, neni 28,29 saktësisht paragrafët 2.2, 2.3, 3.33.6, 3.73.10 si dhe neni 29 paragrafi 1,2,3”, thuhet në njoftimin e KRU “Prishtina”.

KRU “Prishtina” u bënë thirrje qytetarëve që të sanojnë rrjedhjet e brendshme, “sepse janë të patolerueshme humbjet e ujit, ngase uji i humbur ka kosto”.

Kompania gjithashtu u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve të cilët nuk i kanë shlyer obligimet financiare ndaj kompanisë, “të njëjtat t’i shlyejnë sa më pare ose në të kundërtën jemi të obliguar të aplikojmë ç’kyçje nga sistemi i ujësjellësit”.