Arbëri

Banorët e Qendrës në Prishtinë kërkojnë rishikimin e kostos së çmimoreve për parkingje

Descriptive Text

Përfaqësuesja e banorëve të Qendrës në Prishtinë, Violeta Hasani, ka thënë se kostoja çmimore e parkingjeve publike është shumë e lartë për banorët e këtij komuniteti.

Hasani e ftuar në emisionin “038” të KTV-së shtoi se banorët po kërkojnë kosto më të ulët nga Komuna e Prishtinës.

“Fillimisht kur e kam parë, nuk e kam pritur mirë. Kostoja e çmimores ka qenë e lartë, sipas kërkesave të banorëve. 30 euro për dy vetura është shumë shtrenjtë. Kemi dalë edhe me protestu për këtë çështje. Banorët nuk janë të kënaqur dhe mua si përfaqësuese, është dashur të më lajmërojë Komuna. Shumë mirë precizohen nga ligji në bashkëpronësi, zonat kolektive i përfaqësojnë banorët, ato publike nga Komuna. Banorët po kërkojnë që kostoja e parkingjeve të ulet”, vazhdoi Hasani.

Një tjetër problem për banorët e Qendrës është edhe zhurma nga kafenetë, që janë të shumta në numër në këtë pjesë të kryeqytetit, por Hasani thotë se zhurma e kafeneve është rregulluar, përveç 3 të tillave.

“Janë disa kafene, më përpara kanë qenë më të zhurmshme, tash i kemi 3 kafene që po i vështirësojnë jetën qytetarëve. As na nuk jetojmë për me ia prish biznesin e këtyre, por as ata nuk duhet me na prish jetesën tonë. Ne i kemi parasysh të gjitha vështirësitë e të jetuarit në Qendër, por edhe bizneset duhet ta dinë që ka fëmijë, të moshuar nëpër banesa. Pas takimit me Policinë, nënkryetarin e Komunës, drejtorin e Inspeksionit, nga 30 lokale të zhurmshme, tash kemi vetëm 3. Komuna nuk mundet me ndalë këtë muzikë, pasi prapa kafeneve qëndrojnë njerëz të fortë të politikës”, deklaroi ajo.

Hasani në fund ka thënë se problemi me qentë endacak i takon nivelit qendror dhe jo atij komunal.