Arbëri

Partitë me qëndrime të ndryshme për reflektimin e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare në lokale

Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Lëvizja Vetëvendosje në krye me Shpend Ahmetin kishte arritur të fitonte Prishtinën më vetëm 365 vota më shumë se kundërkandidati nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi.

Por në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, Vetëvendosje ka shënuar ngritje të madhe në kryeqytet me mbi 64 për qind të votave, duke lënë shumë prapa LDK-në, e cila arriti të marrë vetëm 17 për qind të votave.

Nuk dihet nëse kjo pasqyrë e fitores do të reflektojë edhe në zgjedhjet lokale, që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.

Vetëvendosje shprehet e bindur se do ta rrisin edhe më shumë besueshmërinë në kryeqytet, dhe se me Arben Vitin për kandidat të Prishtinës, ata do fitojnë bindshëm.

“Rezultati i zgjedhjeve është një referendum në gjithë Kosovën, por në veçanti për kryeqytetin, Prishtinën. Ky rezultat për ne është një përgjegjësi edhe më e madhe, andaj besoj që shumë shpejt do të kemi edhe zgjedhjet lokale andaj do mundohemi që këtë rezultat ta rrisim ende…Natyrisht që ne do e propozojmë Arben Vitinë për kryetar komune. Por besojmë që ai do të jetë kandidati i ardhshëm për të udhëhequr me kryeqytetin, natyrisht pas një rezultati kaq të mirë në Prishtinë, ku mbi 64 për qind e qytetarëve kanë votuar për Vetëvendosjen, pa votat e diasporës dhe ato me kusht, prandaj mendojmë se kjo përqindje do të rritet ende”, ka thënë Eman Rrahmani, kandidat për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mendon se këto zgjedhje janë një tregues edhe për ato lokale.

Sipas asamblistit të kësaj partie në Komunën e Prishtinës, Shefqet Osmani, LDK do ta rikthejë Prishtinën në garat komunale.

“Unë mendoj se këto zgjedhjet nacionale nuk ndikojnë edhe aq në zgjedhjet lokale sepse aty është një sistem krejt tjetër, një qytetar një votë. Edhe mendoj se komunat të cilat i kemi si Lidhje Demokratike e Kosovës por edhe të tjera, do i kthejmë dhe do i menaxhojmë si lidhje demokratike e Kosovës. Dje kemi filluar me dorëheqjen e kryetarit Isa Mustafa, kemi filluar me një reformë. Kuadro të reja po vijnë për LDK-në. Dhe mendojë se me një angazhim edhe më të madh do ta kthejmë komunën e Prishtinës”, ka thënë Osmani.

Sipas tij, Vetëvendosjen do ta penalizojë qeverisja që ka bërë Shpend Ahmeti për tetë vjet.

“Ju e dini se tash e 8 vite udhëhiqet nga Vetëvendosjes dhe aty e vendosën një njëri që mendoni se ishte më meritori, por e dini të arriturat e Ahmetit në Prishtinë, janë po ato që kanë qenë nga kryetari Isa Mustafa”, është shprehur ai.

Megjithatë, sipas analistëve në zgjedhjet lokale do të varet shumë edhe nga kandidatët që do të prezantojnë partitë politike.

Sipas Artan Demhasajt nga organizata “Çohu”, Prishtina ka gjasa të mos fitohet pa balotazh.

“Fryma e votave në këto zgjedhje ka qenë se është dashur një ndryshim dhe për atë kemi edhe një përqindje aq të lartë. Në zgjedhjet lokale kjo nuk mund të përkthehet e njëjta. Gara në komunë ka me qenë më e ashpër për shkak se mund të jenë 3-4 kandidatë për kryetar komune, pastaj votat shpërndahen nëpër partitë politike dhe kjo mund të ndikojë që megjithatë Prishtina të mos fitohet pa balotazh”, ka thënë Demhasaj.

Megjithatë, sipas Demhasajt, Prishtina më shumë do të shkojë në favor të Vetëvendosjes.

“Në çfarëdo aspekti që e analizojmë Prishtina më shumë shkon në favor të Vetëvendosjes tash për shkak të qeverisjes që kanë me pas në nivel qendror, por edhe për shkak të kandidatit, tash është një kandidat që gëzon besueshmëri të elektoratit të Vetëvendosjes dhe megjithatë mund ta ketë kogja më të lehtë rrugën drejt fitores në Komunën e Prishtinës”, ka deklaruar më tej ai.

Ndërsa analisti Blerim Bernjani mendon se Vetëvendosje ka bërë një ndryshim të madh dhe në zgjedhjet lokale përqindja në Prishtinë vetëm se do të rritet.

Ende nuk dihet se cilët do të jenë kandidatët zyrtarë të partive politike për kryetar të Prishtinës. Si emra të përmendur janë: Arben Vitia, Arban Abrashi, Lumir Abdixhiku. Nënkryetari aktual, Selim Pacolli, që vjen nga AKR-ja ende nuk e ka konfirmuar as mohuar nëse do t’i hyjë edhe një herë garës për kryetar.

Njëjtë si ai ka vepruar edhe kryetari Shpend Ahmeti, i cili nuk dihet ende nëse do të tentojë të hyjë në garë tashmë pa parti dhe si kandidat i pavarur.