Arbëri

Në shkollën e Dabishevcit mësimi po mbahet pa ngrohje

Po përpiqen ta dëgjojnë mësimdhënësin teksa përsërit njësinë e fundit mësimore. Por, nga temperatura e ulët mezi po qëndrojnë në klasë. Problemet me energji elektrike në fshatin Dabishevc të Prishtinës kanë lënë tash e disa javë pa ngrohje shkollën “Azemi e Salihu”.

Nxënësit shprehen të shqetësuar që po mbajnë mësim në këto kushte.

“Po kemi shumë ftohtë në shkollë dhe s’po mundemi me mbajtur mësim shumë, sepse po duhet me vendosë dorëza dhe kapuç. Kishim pas qejf mu zgjidhë ky problem sa më shpejt dhe me mbajtur orë më shumë”, thotë nxënësi i klasës së 5-të, Ramë Xhela.

Për mungesën e ngrohjeve në shkollë është ankuar edhe nxënësja e klasës së tretë, Anita Abazi.

“Kemi dëshirë që të zgjidhet ky problem sa më parë, të vijmë në mësim dhe ta mbajmë orën e përfunduar”, shprehet Abazi.

Mësimdhënësi Erëblin Hoxha ka deklaruar se mësimi në këto kushte është shumë vështirë të realizohet, për ç’gjë edhe i kanë shkurtuar orët në 15 minuta.

“Vëmendja e nxënësit nuk është tërësisht e fokusuar në mësim për arsye se bënë shumë ftohtë. Në këtë kohë të ftohtë, ne nuk mund t’i mbajmë orët e plota siç i mbajmë rregullisht edhe gjatë stinëve të tjera, mirëpo tani duhet t’i shkurtojmë orët dhe të mbajmë mësim që të mund t’i shpjegojmë të gjitha mësimet në një kohë të shkurtë për arsye se prindërit po ankohen se fëmijët mund të sëmuren nga të ftohtit”, thekson ai.

Shkolla “Azemi e Salihu” në Dabishevc ka gjithsej 15 nxënës, të cilët mësojnë në klasë të kombinuara për shkak të numrit të vogël të tyre.

Drejtori i saj, Hamdi Hyseni, ka thënë se që kur ka nisur gjysmëvjetori i dytë procesi mësimor është çrregulluar, derisa i ka bërë thirrje që KEDS-i ta zgjidhë këtë problem sa më parë.

“Është shqetësuese kjo, mirëpo ne po duhet me u organizuar në një mënyrë që mos me humb nxënësit mësim, sepse me mungesën e rrymës po mungon edhe interneti. Ne nuk mundemi me filluar as në skenarin B, sepse nuk ke kontakte me nxënës prandaj jemi munduar edhe në këto temperatura të ftohta me i sjellë nxënësit në shkollë”, ka theksuar Hyseni.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, në një përgjigje me shkrim ka theksuar se reshjet e mëdha të shiut e të borës, sidomos në zona të larta malore, kanë shkaktuar numër të konsiderueshëm të prishjeve, por që, sipas tij, ato janë rregulluar.

“Fshati Dabishevc furnizohet nga linja Keqekollë-Hajkobillë, një dalje komplet malore. Për shkak të kushteve atmosferike që mbizotëruan gjatë pjesës së dytë të muajit janar, shoqëruar me reshje të mëdha të shiut sidomos në zona të larta malore janë shkaktuar një numër i konsiderueshëm i prishjeve, të cilat janë rregulluar në kohën më të shkurtër të mundshme. Tash konsumatorët kanë energji elektrike”, thuhet në përgjigjen e tij.

Ndërkohë, në Komunën e Prishtinës nuk kanë treguar nëse kanë ndonjë alternativë tjetër për mbajtjen e mësimit, nëse vazhdojnë problemet e njëjta me energji elektrike.