Arbëri

Qendra e Prishtinës, zonë e mbrojtur – kundërshton qeverisja Ahmeti

Qendra historike e Prizrenit është ndër zonat e mbrojtura, por që shpeshherë ka ndërhyrje pa leje në objektet brenda zonës.

Tashmë edhe qendra e Prishtinës ka hyrë si zonë e mbrojtur.

Që nga tetori i vitit 2020, nga stadiumi “Fadil Vokrri” e duke përfshirë të gjitha sheshet deri te Muzeu i Kosovës, qendra e Prishtinës është zonë e mbrojtur dhe rangohet e 930-a në listë. Rrjedhimisht, nuk lejohet rrënimi i objekteve për t’u dhënë hapësirë ndërtimeve të reja.

Duke u quajtur si Qyteti i Vjetër i Prishtinës, në vendimin e Ministrisë së Kulturës përmendet ndryshimi i kufirit të zonës së mbrojtur disa herë dhe mosgatishmëria institucionale për mbrojtje.

“Zhvillimi infrastrukturor i qytetit të Prishtinës, në dëm të vlerave autentike të monumenteve, ansambleve, zonave të trashëgimisë kulturore të Prishtinës, përfshirë edhe infrastrukturën e vjetër përcjellëse”, është vetëm një nga shumë arsyet e vendimit prej 9 faqesh.

“Ky kufi nuk është përcaktuar rastësisht, ka shumë referenca dhe kemi menduar që në një mënyrë kjo do t’i japë rrugë jo vetëm zhvillimit të qendrës historike, por në një mënyrë të kontrollohen edhe zhvillimet dhe ndërtimet e tjera që janë në kuadër të prioritetit të Komunës së Prishtinës”, ka thënë Drejtoresha në Departamentin e Trashëgimisë Kulturore, Vjollca Aliu.

Por, në një mbledhje të mbajtur mes institucioneve, Komuna e Prishtinës, sipas burimeve të KOHËS, e ka kundërshtuar këtë vendim, duke thënë se po shkatërrohet ekonomia.

Jozyrtarisht, drejtoresha e Kulturës në Prishtinë, Blerta Basholli, ka thënë se ata nuk janë përfshirë në këtë projekt.

Për këtë arsye ata edhe nuk kanë dashur të prononcohen para mediave derisa ta qartësojnë më shumë këtë çështje me Ministrinë.

Drejtoresha e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, Edona Durguti, ka thënë se kjo gjë ka qenë shumë e nevojshme për t’i mbrojtur dhe për t’i promovuar vlerat identitare të krijuara gjatë zhvillimit të tij në periudha të ndryshme.

Ky ndryshim nuk nënkupton pengesë në zhvillimin e qytetit.

“Trajtimi dhe ruajtja e monumenteve dhe ansambleve të trashëgimisë kulturore përmes konservimit të integruar nuk nënkupton pengesë në zhvillim të qytetit, përkundrazi, intervenimi i kontrolluar në bërthamën e qytetit përbën pjesën e domosdoshme për nxitje të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të turizmit kulturor. Planifikimi zhvillimor i Komunës së Prishtinës duhet t’u kthehet në radhë të parë atyre të cilëve u dedikohet ky zhvillim – njeriut dhe ofrimit të kushteve sa më të shëndosha për jetesë kualitative”, ka deklaruar Durguti.

Ministria e Kulturës ka thënë se është e gatshme që të diskutojë me Komunën e Prishtinës, por që përcaktimet për zonat e mbrojtura i bëjnë vetë ata.

Niveli qendror, në vitin 2021, ka një projekt ku përfshihet restaurimi i 4 shtëpive në qendrën historike.