Arbëri

Më shumë parkingje synohen në Prishtinë gjatë 2021-s

Foto: Koha

(Ekonomia Online) - Kryeshefi ekzekutiv i Prishtina Parking, Liridon Restelica, ka thënë se “Prishtina Parking” do të jetë në pjesën e investimeve për rritjen e numrit të parkingjeve në qytet. Ai thotë se nuk do të kenë nevojë për subvencione shtesë nga komuna, pasi do t’ia dalin me të hyra vetanake.

“Tash besoj që shumë shpejtë nuk do të kemi nevojë për subvencionim shtesë prej anës së komunës, këto subvencione të cilat kryetari na i ka dhënë, do t’i kthejmë me dividendë përmes Prishtina Parkingut dhe normal që qytetarët me pas një lehtësim të operimit të qarkullimit në qytet edhe gjetjes së mënyrave të parkingjeve më të favorshme”, tha ai.

Vështirësitë dhe ndër problemet kryesore për “Prishtina Parking” ka qenë pandemia dhe ballafaqimi me të, e sidomos prekja e një numri të punëtorëve nga COVID-19.

Restelica tha se pandemia ka ndikuar shumë për të si ndërmarrje e vogël dhe stafit të vogël që të mund të zëvendësoheshin kur dikush infektohej.

“Kjo ka ndikuar shumë, sepse ne si ndërmarrje jemi ndërmarrje e vogël dhe nuk kemi zyrtarë rezervë që mundet dikush me zëvendësua pjesën e dikujt tjetër”, tha Restelica.

Më tej, ai thotë që përkundër sfidave dhe karantinimit punëtorët nuk janë larguar apo reduktuar, dhe projektet nuk janë ndalur.

“Ka qenë një sfidë shumë e madhe për “Prishtina Parking”, ne kemi filluar parkingun e parë mbrapa pallatit të Rinisë, e kemi marrë me 15 mars ku dihet që nga data 16 vetëm jemi hy në karantinë, dhe faktikisht ne i kemi trashëguar ata punëtorë që kanë punuar tek Pallati i Rinisë dhe nuk i kemi larguar, i kemi mbajtur si punëtorë të ndërmarrjes”, u shpreh Restelica.