Arbëri

Rryma e dobët në Hajvali, banorët ankohen për prishje të pajisjeve

Biznesin nga i cili siguron të ardhurat për familjen nuk mund ta zhvillojë ashtu siç duhet.

Mosfunksionimi i duhur i energjisë elektrike, Ukë Mehmetit nga Hajvalia po ia pamundëson përdorimin e mjeteve të punës.

Për shkak të rrymës së dobët, shpeshherë ato nuk arrijnë fare të ndezën.

Me këtë problem, ai dhe shumë shtëpi të tjera të kësaj lagjeje po përballen që nga paslufta, duke ua dëmtuar kështu edhe shumë pajisje të amvisërisë, madje edhe vetë përforcuesit, me anë të të cilëve mundohen ta stabilizojnë sadopak rrymën.

Mehmeti tregon se pasi u janë prishur dy përforcues, ai ka disa ditë që nuk po mund ta ushtrojë më zanatin e tij.

“Unë jam bravar dhe mekanik, por puna ka që një kohë të gjatë që nuk kam punuar. Sherri i rrymës, nuk po i çon asnjë pajisje asnjë, po duhet me përforcues edhe këta po na djegin sepse nuk po mundem me përballu fuqinë e aparateve, kogja në zor jemi...Ky është djeg edhe ky tjetri është djeg e kështu se mbajnë hiç dhe me lënë edhe një kohë të gjatë kjo digjet”, ka deklaruar Mehmeti.

Në anën tjetër, Gazmend Makolli, i cili përmes pajisjeve po mat fuqinë e rrymës, thotë se gjatë këtyre ditëve kanë pasur hyrje vetëm 128 voltë, gati përgjysmë sa duhet të kenë normalisht.

Për këtë, Makolli thotë se nëse nuk zgjidhet problemi do të obligohen të padisin KEDS-in.

“Si mbas të matjeve që kemi bërë rryma hynë rreth 128, ndërsa ne paguajmë për 220 volt ndërsa marrim gjysmën e asaj paguajmë. Pasi rrymën e paguajmë dhe në kontratë shkruajmë që KEDS është i obliguar të sjellë 220 volt dhe ne nuk marrim atë sasi, atëherë jemi të obliguar të bëjmë edhe padi ndaj KEDS”, ka thënë Makolli.

Për këtë problem banorët thonë se kanë kërkuar zgjidhje edhe vite më parë, por ende s’ka ndonjë rezultat.

Osman Zabërgja thotë se së voni kanë dërguar edhe një peticion në KEDS, por nuk kanë marrë ndonjë përgjigje konkrete ende.

“E kam dërguar peticionin, kanë thënë shikojmë...Po duhet me invertor, edhe ata nuk po mund ta lëmë shumë gjatë se na prishin edhe pajisjet edhe ajo vet”, është shprehur Zabërgja.

Ndërsa, Rashit Mehmeti tregon për pajisjet të cilat i janë dëmtuar si pasojë e rrymës së dobët.

“Makina e larjes së enëve, ajo është digjitale dhe e ka bërë përzierjen e numrave, shifrave dhe kur e kam thirr servisin ai e mati rrymën dhe ishte e ulët. Nuk ka asnjë pajisje shtëpiake që mundet të përballoj atë fuqi të rrymës aq të dobët. Kemi probleme me makinë të larjes dhe me të gjitha pajisjet shtëpiake”, ka shtuar Rashit Mehmeti.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se në atë zonë është intervenuar dhe janë ndërruar pothuajse të gjitha trafot. Ndërsa pjesët tjera të cilat kanë mbetur, shumë shpejt do të rregullohen.

“Fatkeqësisht janë duke u paraqitur disa ngarkesa si pasojë e ngrohjes masive të qytetarëve me energji elektrike. Jemi duke intervenuar në mënyrë të vazhdueshme. Pjesa dërmuese e shtëpive janë pa leje dhe jashtë planeve urbanistike dhe këto po paraqesin ngarkesa dhe ne nuk jemi në dijeni për to”, ka pohuar Buzhala.

Në qoftë se është nevoja, banorët janë shprehur të gatshëm të lirojnë edhe tokën private për trafo të re.