Arbëri

71-vjeçari sanon me shat rrugën që u harrua nga komuna

Edhe pse në moshë të shtyrë, me anë të një shati po mundohet ta sanojë vetë rrugën e lagjes ku banon.

71-vjeçari nga Mramori i Prishtinës, Qerim Gashi, ka marrë vetiniciativë për të rregulluar sado pak rrugën, e cila të shpjerë te shtëpia e tij.

Gjendja e kësaj rruge, e cila nuk është shtruar asnjëherë me asfalt, është përkeqësuar edhe më shumë pas vërshimeve të fundit.

Kjo po ua vështirëson edhe më shumë jetën banorëve të kësaj ane.

Megjithëse temperaturat e ulëta, Gashi thotë se është i detyruar t’i mbyllë sadopak gropat për të mundësuar kalimin me vetura.

“Po ata nuk dalin, kur dalin nuk e di. Na po duhet kështu me shati me mbyllë vadën, shikoj qysh e ka prish prej së larti, 250 metra nuk është më shumë e ka bërë rovinë. Jam dalë në qet borë në qet të ftohtë, po mundem mi mbyll qeto gropa se nuk po mundem të dalë me veturë”, thotë Gashi.

Gashi tregon se Komuna ka qenë andej disa herë, por rrugët vazhdojnë te jenë të pashtruara.

“Janë kanë para dy muajve, e kanë shikuar deri atje lart e më kanë pyet a po mundeni me dalë e i kam thënë po dalim diqysh. Me u sëmur dikush duhet me krah me dalë deri këtu poshtë, më nuk janë dalë kurrë. Qe 3 a 4 vjet ja kanë qitë një shtresë zall kur e kanë shtruar asfaltin në rrugën kryesore”, shton ai.

Për vështirësitë që hasin nga rrugët me baltë ka treguar edhe Naim Gashi.

Sipas tij, ka 20 vjet që nuk është prekur asnjëherë rruga që të çon në shtëpinë e tij.

“Rruga kryesore është shtruar para disa viteve, ndërsa rrugën që e kemi mbrapa nuk e kanë shtruar e kanë ndërprerë këtu. Qe 20 vjet pas luftës nuk është rregulluar asnjëherë. Dimrit e kemi shumë problem, duhet me vetura të i bartim fëmijët se në këmbë nuk kalohet”, ka thënë Naim Gashi, banor i fshatit Mramor.

Por ai tregon se edhe rruga kryesore, që është e shtruar me asfalt para disa viteve, tashmë është dëmtuar shumë dhe ka nevojë për rregullim.