Arbëri

Komuna e Prishtinës ka ndarë rreth 20 mijë euro për grupin e parë të të infektuarve me koronavirus

Komuna e Prishtinës ka ndarë afro 20 mijë euro për qytetarët e Prishtinës të prekur me koronavirus për grupin e parë të aplikuesve.

Nënkryetari i komunës, Muhedin Nushi ka thënë për KOHËN se mjetet e para janë ndarë në fund të muajit dhjetor 2020 dhe se nga shuma prej 19 mijë e 350 euro sa janë ndarë, kanë përfituar gjithsej 437 qytetarë.

“Mjetet e para janë ndarë në fund të muajit dhjetor 2020. Ky ka qenë edhe fillimi i pagesave për të prekurit nga COVID-19, e të cilat pagesa do të vazhdojnë gjatë këtij muaji. Në total është realizuar pagesa për 437 qytetarë, në shumë totale prej 19.350,00 Euro”, ka thënë Nushi.

Në fillim të muajit dhjetor të vitit të kaluar, komuna e Prishtinës pati hapur mundësinë e aplikimit për këtë ndihmë, e cila ishte aprovuar paraprakisht në Kuvendin Komunal në fund të muajit nëntor.

Ndihma ishte paraparë të ndahej në emër të shpenzimeve shëndetësore për të prekurit nën moshën 65 vjeçare të cilët do të përfitonin nga 50 euro dhe ata të pensionuar të cilët do të merrnin nga 100 euro.

Nënkryetari Nushi tha se në grupin e parë kanë aplikuar 387 persona jo pensionistë të cilët kanë marrë 19 mijë e 350 euro dhe 50 të pensionuar të cilët kanë marrë gjithsej 5000 euro.

Ndërkaq për muajin janar kanë aplikuar 6.582 persona prej të cilëve 5.775 janë në moshën 65 vjeçare dhe 807 pensionistë.

Sipas Nushit, pagesat nuk mund të kryhen pa i verifikuar të gjitha të dhënat e aplikuesit dhe se vetëm ne grupin e parë të pagesave kanë qenë 51 qytetarë të komunave të tjera që kanë aplikuar.