Arbëri

Qendra e Prishtinës me tunel nëntokësor

Qendra e kryeqytetit pritet të pësojë ndryshime në infrastrukturën e saj.

Një pjesë e rrugës “Agim Ramadani” mendohet të shndërrohet në shëtitore, ndërsa nën të do të ndërtohet një tunel 300 metra i gjatë.

Përmes projektit që pritet t’i kushtojë Prishtinës 2 milionë euro, sheshi “Ibrahim Rugova” do të bashkohet me pjesën e vjetër të qytetit.

Drejtori i Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave, Gëzim Mehmeti ka treguar se tuneli pritet të fillojë nga pjesa ku kalon lumi Vellusha dhe do të vazhdohet deri tek objekti i vjetër i Komunës së Prishtinës.

Sipas tij, ky projekt është me rëndësi të madhe, pasi përveçse do të ndikojë për të mirë në komunikacionin e kryeqytetit, do të mundësojë edhe realizimin e sheshit të ri, duke kthyer këtë pjesë siç ka qenë në të kaluarën.

“Ky projekt ka një rëndësi të madhe për qytetin e Prishtinës, për arsye se përveç qarkullimit e mundëson edhe realizimin e sheshit të ri, i cili do të jetë nga këtu ku gjendemi deri te tregu i ri i ndërtimit ku do të jetë në të ardhmen, pra deri te objekti i vjetër i Komunës. Kjo pjesë do të jetë sheshi më interesant për arsye se do të kthehet në gjendjen e mëparshme që nënkupton me kalldrëm dhe do të jetë sipas arkitekturës së mëparshme”, ka thënë ai.

Megjithatë, Mehmeti nuk mund të tregojë nëse ky tunel do të fillojë të ndërtohet në këtë vit.

“Varësisht, kemi përvoja jo të mira sa i përket kohëzgjatjes së procedurave të tenderit, është një element shkatërrues për implementimin e projekteve në Komunën e Prishtinës, por shpresoj që do të përfundojë shpejt, sepse kemi shkuar me procedura të kufizuara, kemi aplikuar këtë procedurë, që besoj që e përshpejton mënyrën e përfundimit të procedurave”, ka shtuar Mehmeti.

Por, njohës i çështjeve të urbanizmit, Driton Tafallari, është shprehur skeptik sa i përket realizimit të këtij projekti.

“Personalisht jam skeptik se edhe a do të bëhet, sepse jemi në vitin e fundit të mandatit të kryetarit Ahmeti. Nuk e di deri kur ka arritur faza, por duke u nisur prej përvojës së mëhershme ky është njëri ndër projektet kapitale, në Komunën e Prishtinës nuk kemi pasur shumë projekte kapitale në 8 vjetët e fundit, ky do të ishte ndër të rrallët. Kjo do të kërkojë kohë, sepse si projekt është i komplikuar, pasi që është krijimi i një lloj metroje dhe sa kemi ne përvoja në këtë nuk e di”, ka thënë Tafallari.

Sipas tij, ka pasur mënyra shumë më të mira që do t’i zgjidhnin më shumë problemet e Prishtinës.

“Krijimi i unazave, i rrugëve, krijimi i ‘i shortcut’ diku ku nuk ka pasur nevojë të intervenohet përfundi tokës. Besoj që kanë zgjedhur një projekt jo emergjent për t’iu qasur një problemi kaq të madh”, ka shtuar ai.

Qytetarët kanë shprehur mendime të ndryshme për propozimin.

“Është e nevojshme gjithsesi. Edhe terreni në Prishtinë është asi soji që mund të bëhen edhe lartë edhe poshtë që mos të ketë vetëm një rrugë e ngarkuar. Do të ketë më pak kolona. Kur qenë në atë kohë që është ndërtuar kjo rrugë dhe ashtu ka mbet”, ka thënë Jashar Miftari.

“Shumë bukur, më lehtë kalohet. Ideja është shumë e mirë, nuk do të ketë tollovi nëse bëhet ajo”, është shprehur Durije Krasniqi.

“Nëse e bëjnë mirë siç duhet, është zgjidhje e mirë për shkak të komunikacionit shumë të dendur në qytet. Punimet kur po bëhen shumë keq se po zgjaten shumë gjatë, me vite me muaj”, ka deklaruar Afërdita Mula.

“Më mirë do të kishte qenë të bëhet tunel, se semaforët dhe rrethet nuk po kryejnë punë, kështu që tuneli besoj që do të kryejë punë”, sipas Ardit Gashit.

Më 10 shkurt pritet të dorëzohen ofertat dhe varësisht kohëzgjatjes së procedurave të tenderit, do të fillojë edhe ndërtimi i tunelit.