Arbëri

Aksionarët paralajmërojnë shqyrtimin e pozitës së kryeshefit të “Trafikut Urban”

Një urdhëresë ndëshkimore dhe një vendim i Gjykatës për çështjen e pasojave juridike janë dokumentet në duar të aksionarëve të “Trafikut Urban”, të cilët në mungesë të Bordit mbikëqyrës, do ta shqyrtojnë pozitën e kryeshefit të kësaj ndërmarrjeje, Lulzim Rexhepaj.

Ai është ndëshkuar me 200 euro gjobë para tre muajsh nga Gjykata Themelore në Prishtinë pas një padie që ia kishte bërë një punonjëse për mënyrën e komunikimit me të.

Në aktgjykimin e Themelores thuhet se ai ka kryer veprën penale të ngacmimit pasi, mes të tjerash, siç thuhet në aktgjykim, i kishte thënë se e di me kë del në pauza dhe çka pi, se është e padisiplinuar e papunëtore, dhe se pas vlerësimit në fund të vitit nuk do t’i vazhdohet kontrata. Sipas aktgjykimit, po ashtu, punonjësja është ndier e kërcënuar kur kryeshefi kishte shkuar në zyrën e saj dhe kishte pyetur nëse ajo është duke punuar.

Rexhepaj përmes një përgjigjeje me shkrim ka thënë se denoncimi kundër tij ka qenë i trilluar, derisa ka theksuar se nuk ka qenë i njoftuar nga prokuroria për hetimet deri në marrjen e aktgjykimit. Megjithatë, siç ka thënë ai, në konsultim me avokatin e ka paguar gjobën.

“Deklaroj se nuk kam qenë i njoftuar se ka ekzistuar një procedurë penale ndaj meje deri me marrjen e aktgjykimit. Në konsultim me avokatin, për t’iu shmangur shkuarjes në procedurë penale të stërzgjatur... pavarësisht se a isha unë fajtor apo jo, e kam paguar gjobën”, ka thënë ai.

Aksionarët e “Trafikut Urban” kanë thënë se kjo ndërmarrje ka pesë muaj është pa bord për shkak të situatës së krijuar me pandeminë, dhe se vetë ata do ta shqyrtojnë këtë rast pavarësisht faktit që ka një vendim të Gjykatës Themelore thuhet se urdhri ndëshkimor ndaj Rexhepajt nuk ka pasoja juridike.

“Nuk kemi ndërmarrë masa për arsye se situata me pandeminë na ka ngadalësuar, në këtë javë ose javën tjetër do të mblidhemi dhe do të vendosim se cili është vendim që do ta ndërmarrim ndaj tij”, ka thënë aksionari Adrian Berisha.

Aksionarja tjetër, Bukurie Canolli, përmes telefonit ka thënë se e kanë kërkuar vendimin e gjykatës dhe gjatë kësaj jave pritet ta shqyrtojnë. Aksionari tjetër, Genc Bashota, nuk u është përgjigjur thirrjeve të KOHËS.

Rexhepaj në përgjigje ka shkruar se punëtorja që e ka bërë denoncimin është ndikuar nga persona që, siç ka thënë, ai i kishte penguar të përfitojnë brenda ndërmarrjes. Ka thënë se kur e ka marrë pozitën e kryeshefit ka vënë rregulla strikte që lidhen me respektim të orarit dhe organizim të punës.

KOHA e ka kontaktuar edhe punëtoren që e kishte bërë denoncimin, por ajo nuk ka pranuar të flasë.

Bordi i “Trafikut Urban” ka mbetur pa udhëheqës që nga shkurti i këtij viti, kur kryesuesi i tij pas denoncimit të Rexhepajt ishte arrestuar nën dyshimet se kishte bërë presion për punësime në ndërmarrje, ndërkohë që në korrik u ka skaduar mandati edhe tre anëtarëve të tjerë.