Arbëri

Ish-Qendra e Mjekësisë Familjare, deponi bërlloku

Descriptive Text

Komuna e Prishtinës ka filluar punimet për adaptimin e ish-objektit të Qendrës së Mjekësisë Familjare, në lagjen Tophane, në Qendër Kulturore – Sociale për të moshuar.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se qëllimi i krijimit të kësaj qendre është ofrimi i shërbimeve falas ose me kosto të përballueshme për pensionistët.

Por, që nga koha kur ish-objekti i Qendrës së Mjekësisë Familjare është vënë jashtë funksionit, pasi shërbimet shëndetësore kishin filluar të ofroheshin në tashmë ish-ndërtesën e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, është shndërruar në një deponi bërlloku.

Ky objekt tash e një kohë të gjatë, i lënë jashtë funksionit, po shfrytëzohet nga qytetarë të pandërgjegjshëm për të hedhur bërllokun, siç edhe mund të shihet në këtë fotografi, raporton Koha.net.

Dërguesi i kësaj fotoje ka thënë se bërlloku para hyrjes së këtij objekti nuk është pjesë e punimeve që janë duke u bërë brenda tij, por se në këtë gjendje është kthyer që nga koha kur objekti ishte lënë jashtë funksionit.

Mirëpo, sipas Ahmetit, kjo qendër do t’u shërbejë pensionistëve për të kaluar kohën e tyre të lirë, qoftë duke lexuar, luajtur e relaksuar.

Në qendrën që planifikohet t’u shërbejë maksimalisht 70 pensionistëve, sipas drejtorit të Mirëqenies Sociale, Arben Vitia, pritet të punësohen 4 deri në 6 persona të cilët do të kujdesen për ofrimin e shërbimeve për të moshuarit.

Kjo qendër e llojit të parë në vend, sipas zyrtarëve komunalë, pritet të jetë e gatshme deri në fund të muajit gusht, ndërsa do të shërbejë edhe për zyrë administrative për Shoqatën e Pensionistëve.